Nisma takon ambasadoren e Francës, i shprehin shqetësim për “rastin Kleçka”

Udhëheqësit e Nismas i kanë shprehur shqetësimet e tyre rreth skandalit në “rastin Kleçka”, në takimin që kanë pasur sot me ambasadoren e Francës, Maryes Daviet.

Lajme

19/03/2015 12:22

Në kuadër të takimeve me përfaqësuesit e korit diplomatik të akredituar në Kosovë, udhëheqësit e Nisma për Kosovën, të kryesuar nga Kryetari i Këshillit Kombëtar, Jakup Krasniqi, sot kanë zhvilluar takim me Ambasadoren e Republikës së Francës, Maryes Daviet.

Në takimin e zhvilluar mes udhëheqësve të Nismas për Kosovën dhe ambasadores franceze, Maryes Daviet, është diskutuar për situatën aktuale, ku Kryetari i Këshillit Kombëtar i Nisma për Kosovën, ,Jakup Krasniqi i ka shprehur shqetësimet e partisë rreth skandalit të fundit të EULEX-it në rastin Kleçka, të publikuara ditë më parë në gazetën Koha Ditore”, thuhet në njoftimin kësaj partie.

Gazeta në fjalë në dy artikuj radhazi kishte raportuar për dyshime të forta se Partia Demokratike e Hashim Thaçit në bashkëpunim me ish-shefin e EULEX-it, Bernd Borchardt, dhe disa zyrtarë të Brukselit, kishin ndërhyrë në Gjykatën e Apelit në shtator të vitit të kaluar që Limaj dhe nëntë të tjerët të akuzuar të rastit “Kleçka” të dënoheshin për krime lufte.

Dëshmitë që i kishte siguruar “Koha Ditore” flisnin se dënimin e kryetarit të Nismës e kishte garantuar gjyqtari portugez i EULEX-it, Manuel Soares. Ai ishte kryetar i trupit gjykues. Soares, madje, u kishte thënë kolegëve të tij të EULEX-it se do ta dënonte Limajn ende pa e marrë lëndën në shqyrtim.

Dënimi i Fatmir Limajt ishte parë si mundësi ideale për prishjen e koalicionit LDK, AAK dhe Nisma.