Nisma: Qeveria në panik, protestat mjeti i fundit kundër ratifikimit të demarkacionit

Për anëtarin e Kryesisë së “Nismës për Kosovën”, Bilall Sherifin, pas humbjes së debatit që u mbajt me 3 gusht, Qeveria e Kosovës është në panik total.

Lajme

08/08/2016 21:32

​Demarkacioni me Malin e Zi është dërguar në Kuvend dhe këto ditë pritet që të bëhet ratifikimi i kësaj marrëveshje.

Tashmë është bërë pothuajse një vit prej kur kjo marrëveshje nuk ka arritur ratifikimin shkak i kundërshtimit nga ana e opozitës kosovare.

Për anëtarin e Kryesisë së “Nismës për Kosovën”, Bilall Sherifin, pas humbjes së debatit që u mbajt me 3 gusht, Qeveria e Kosovës është në panik total.

“Kryeministri Mustafa ende pa përfunduar debati pati ftuar mbledhjen e qeverisë. Përmes këtij veprimi ai dëshmoi se fare nuk i ka interesuar  se çfarë rezultati do të sjell ky debat. Prandaj, në mungesë të argumenteve për ratifikimin e marrëveshjes për demarkacionin ai dhe vartësit e tij po tentojnë që përmes fuqisë së numrave duke e ratifikuar marrëveshjen ta mbyllin këtë çështje”, ka thënë Sherifi për Indeksonline.

Sipas tij, nga kjo del se kjo qeveri nuk e ka ndërmend të ndalet në ndërmarrjen e saj kundër interesave të vendit.

“Mendoj se janë dy rrugë se si kjo qeveri do të mund të detyrohej të heq dorë nga ratifikimi i kësaj marrëveshje: e para dhe më e mira do të ishte sikur deputetët e tyre të deklarohen publikisht se në rast se marrëveshja vjen në Kuvend, ata do të votojnë kundër saj”, ka thënë ai.

Tutje, Sherifi shtoi se në rast se kjo nuk ndodh, atëherë protesta masive si mjet i fundit kundër ratifikimit gjithsesi se do të duhej të thirrej në mënyrë që kjo marrëveshje të mos kalojë.