“Nisma largohet nga PAN-i nëse më 24 gusht nuk zgjedhet kryesia e Kuvendit”

Deputeti i ‘rebeluar’ i koalicionit PAN, Milaim Zeka nga Nisma për Kosovën, sot përmes një shkrimi në Facebook u dha ultimatum PDK-së dhe AAK-së, se nëse nuk e zgjedhin kryesinë e Kuvendit më 24 gusht, kur është caktuar seanca konsultative, Nisma do ta marr hapa të tjerë rreth zhbllokimit të vendi nga kriza.

Lajme

16/08/2017 18:23

Lajmi.net ka kontaktuar më Zekën për të pyetur se cilët janë hapat konkret të Nismës nëse seanca e ardhshme dështon ta zgjedh kryesinë e Kuvendit, ai ka kërcënuar me largim nga koalicion dhe gjëra të tjera.

“Unë personalisht do të largohem nga koalicioni, por besoj edhe Nisma e ka të njëjtin mendim, pasi nuk mundet vendi të mbetet peng i lojërave të PDK-së e të Vetëvendosjes”, ka thënë Zeka.

Deputeti i Nismës, tha se ka mundur edhe herëve të tjera ta mbyll këtë çështje por ka lëshuar pe, mirëpo tani shprehet i bindur se më nuk do të ndodh.

“Hapi i parë, do të jetë largimi nga koalicioni, pasi unë do të qohem dhe do ta propozoj Milaim Zekën për kryetar të Kuvendit nga Nisma. Unë kam mundur edhe herëve të kaluara kur ka pasur kuorum të propozoj vetëm për kryetar të Kuvendin edhe deputetët me kishin votu, por nuk e kam bërë. Tani nëse më 24 dështon seanca ne do të ndërmarrim hapa të tjerë”, ka thënë Zeka. /Lajmi.net/