Nisin përplasjet mes Vetëvendosjes dhe ish-anëtarëve të saj në Prishtinë

Grupi i Asambleistëve të Lëvizjes Vetëvendosje në Komunën e Prishtinës, ka akuzuar ish-bashkpëartiakët e vet për tendencë të kapjes së Ndërmarrjes Publike Banesore.

Lajme

01/04/2018 19:18

Në një letër të gjatë, Grupi i Asamblesitëve shkruan se “përmes disa veprimeve të pamatura, të parregullta dhe kundërligjore, drejtori i Drejtorisë së Pronës në Komunën e Prishtinës, Dren Kukaj, së bashku me një grup individësh po bëjnë një sulm ndaj Ndërmarrjes Publike Banesore, me synimin për ta larguar drejtuesin e ligjshëm, Nexhat Kryeziun”.

Kjo është letra e asamblistëve të Vetëvendosjes:

Ndërmarrja Publike Banesore, nën drejtimin e Nexhat Kryeziut, ka qenë një ndër historitë e suksesit në Komunën e Prishtinës. Ajo është përmendur me mburrje shpesh nga vetë Shpend Ahmeti, si një nga ndërmarrjet ku u realizua çkapja e shumë pronave e aseteve publike që më parë shfrytëzoheshin paligjshëm, duke vjedhur publikun.

Nën drejtimin e Nexhat Kryeziut, dhe me përkrahjen e Lëvizjes Vetëvendosje! kjo ndërmarrje ka arritur të jetë e suksesshme në shumë parametra, duke arritur të jetë një nga ndërmarrjet e rralla në krejt Kosovën që del me bilanc pozitiv financiar, pra me fitim, gjë që nuk ndodh me ndërmarrjet e tjera të tilla në Komunën e Prishtinës.

Megjithatë dikujt po i nxitohet shumë që të fusë duart në këtë ndërmarrje të suksesshme, duke ndryshuar paligjshëm mekanizmat vendimmarrëse dhe pozitat drejtuese. Përmes disa veprimeve të pamatura, të parregullta dhe kundërligjore, drejtori i Drejtorisë së Pronës në Komunën e Prishtinës, Dren Kukaj, së bashku me një grup individësh po bëjnë një sulm ndaj Ndërmarrjes Publike Banesore, me synimin për ta larguar drejtuesin e ligjshëm, Nexhat Kryeziun.

Në mënyrë të jashtëligjshme Dren Kukaj në datë 26.03.18 e ka thirrur një mbledhje të aksionarëve të Ndërmarrjes Publike Banesore. Mbledhjen ai e ka thirrur duke i bërë disa shkelje proceduriale dhe duke e thirrur mbledhjen në zyrën e vet, në vend se ta thërriste në NPB. Në atë mbledhje ai vetë nuk mori pjesë dhe mbledhja u anulua. Megjithatë ai vazhdoi me shkeljet e ligjit.

Bashkë me aksionarin tjetër, Qëndrim Sahitin, këta kanë dërguar në NPB një vendim që e kanë marrë vetë, pa thirrur asnjë mbledhje. Sipas atij vendimi nr.14-020/01-71674/18 të datës 26.03.2018, dy aksionarët e Ndërmarrjes Publike Banesore, Dren Kukaj dhe Qëndrim Sahiti kanë caktuar 4 anëtarë të përkohshëm të Bordit të Drejtorëve të Ndërmarrjes Publike Banesore Sh.a Prishtinë. Në po të njëjtin vendim ata e urdhërojnë këtë bord me anëtarë të jashtëligjshëm të përpilojnë një përmbledhje të gjendjes së NPB.

Por sipas Statutit të Ndërmarrjes Publike Banesore Sh.a Prishtinë, pika 26.4, çdo takim i Bordit të Drejtorëve me stafin administrativ të ndërmarrjes është në kundërshtim me parimet e qeverisjes korporatave.

Ky vendim është i kundërligjshëm dhe i pa zbatueshëm për një sërë arsyesh të cilat do ti cekim në vijim:

Së pari me Ligjin nr.03/L-087 datë 13.06.2008 Për Ndërmarrjen Publike, Komisioni Komunal i Aksionarëve për Ndërmarrjet Publike Lokale nuk ka të drejtë të emërojë me mandat të përkohshëm anëtarët e Bordit të Drejtorëve.

Së dyti, edhe vetë mbledhja e Komisionit të Aksionarëve e thirrur me datë 26, ku mungoi edhe vetë Dren Kukaj ishte e thirrur në kundërshtim me rregulloren për ndërmarrje lokale, sepse përveç që njoftimi ishte në më pak se 24 orë, aty nuk u cekën as rendi i ditës dhe asnjë detaj tjetër.

E së treti meqenëse as ajo mbledhje nuk u mbajt, vendimi për emërim të anëtarëve të përkohshëm të bordit, nuk dihet ku u mor, në cilën mbledhje. Andaj emërimi ad hoc i disa individëve si anëtarë të përkohshëm të Bordit të Drejtorëve duke mos respektuar konkursin e shpallur nga vetë komisioni komunal i aksionarëve është i pa arsyeshëm dhe joligjor

Nuk mund te caktohet një bord i ri, pa vendim për shkarkimin e bordit paraprak.

Të gjitha këto shkelje kulmuan në datën 30 mars 2018, kur në NPB, individi i quajtur Anita Shabani solli në NPB një vendim për emërimin e një kryeshefi të ri, vendim i lëshuar nga ky bord i paligjshëm. Menaxhmenti i NPB nuk e ka pranuar këtë dokument të jashtëligjshëm, dhe e ka udhëzuar znj. Shabani të largohet nga ambientet e NPB. Më pas kanë ardhur bashkëshorti i Anita Shabanit, Ilir Cacaj, dhe vëllai i saj i cili punon në policinë e Kosovës, të cilët kanë kërcënuar se do të hyjnë dhunshëm në ambientet e NPB dhe do të ushtrojnë forcë mbi kryeshefin aktual Nexhat Kryeziu. Por ata nuk janë lejuar prej punonjësve të NPB të hyjnë aty.

Më pas ata kanë shkuar në policinë e Kosovës ku kanë denoncuar z. Nexhat Kryeziu me akuza të rrejshme, kinse është sjellë keq me znj. Shabani. Pas shoqërimit në polici u vërtetua se këto akuza ishin të rrejshme, për më tepër në ambientet e NPB ka kamera të brendshme që vërtetojnë gjithçka. Bashkëshorti i znj. Shabani dhe vëllai i saj vazhdimisht i janë kanosur z. Kryeziu edhe brenda në ambientet e policisë.

Kush po interesohet për këto veprime të paligjshme dhe këto sjellje të pahijshme, që synojnë të kapin sërish një ndërmarrje të çkapur prej praktikave korruptive?

Lëvizja VETËVENDOSJE! vazhdon ta mbështesë z. Nexhat Kryeziu dhe menaxhmentin e NPB-së, dhe do ta ndjekë këtë punë ligjërisht, që të mos e lejojë rikapjen e NPB-së.

Grupi i asambleistëve të Lëvizjes.

Prishtinë, 2018.”