Nishani: T’i rrëfehemi Isa Boletinit se shqiptarët tash i kanë dy shtete

Presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani, gjatë ceremonisë së rivarrimit të heroit kombëtar, Isa Boletinit, tha se në këtë moment, sikur të ishte i gjallë, do të ndjehej i qetë për arritjet e shqiptarëve.

Lajme

10/06/2015 12:46

Në fjalimin e tij para të pranishmëve në stadiumin “Adem Jashari” në Mitrovicë, tha se janë mbledhur për t’iu rrëfyer Isa Boletinit se shqiptarët tashmë i kanë dy shtete në Ballkan.

“E paharrueshme do të jetë kjo ditë për mua. Besoj se shqiptarët kudo ndodhën do të përjetojnë emocionin e 100 vjetorit në vetmi”.

“Isa Boletini ishte krenaria shqiptare në orët më tragjike të Shqipërisë. Sot jemi për sakrificat dhe gjakun e derdhur të mijëra dëshmorëve që dhanë për shqiptarët të kenë të drejtat e tyre kombëtare, dhe Isa Boletini është kryedëshmori ynë”.

“Sot jemi këtu t’i rrëfehemi Isa Boletinit se shqiptarët i kanë dy shtete të pavarura dhe demokratike në Ballkan”, ka thënë Nishani.