Nishani: OSBE të bisedojë me Beogradin për çështjen e Luginës së Preshevës

Në takimin e së enjtes me presidentin e radhës të OSBE-së, dhe njëherësh presidentin e Zvicrës, Didier Burkhalter, presidenti shqiptar, Bujar Nishani deklaroi se kërkesat e shqiptarëve të Luginës së Preshevës janë racionale dhe kërkoi nga OSBE-ja të vazhdojë ndërmjetësimin që Beogradi të bisedojë me përfaqësuesit lokalë për të adresuar këto kërkesa. 

Lajme

24/04/2014 23:20

Nishani tha se vlerëson maksimalisht ndihmën dhe mbështetjen e vazhdueshme të Zvicrës për Shqipërinë, që nga fillimi i proceseve demokratike, duke veçuar kontributet e saj në ekonominë, zhvillimet demokratike dhe shoqërinë shqiptare nëpërmjet investimeve, projekteve e programeve me shumë interes të Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim dhe Sekretariatit Shtetëror për Çështjet Ekonomike, dhe shtoi se bashkëpunimi në këtë kuadër konsiderohet një histori suksesi, ndërsa shprehu bindjen se bashkëpunimi ynë do të thellohet më tej në fusha me interes të përbashkët.

Pasi nënvizoi përparimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor me orientim nga e ardhmja, edhe falë bashkëpunimit me OSBE-në, Presidenti Nishani u shpreh se Shqipëria ka bërë disa herë thirrje për marrjen e masave që Kosova të afrohet gradualisht me OSBE-në deri në pjesëmarrjen e saj të plotë në këtë Organizatë, hapa këto që do të ndihmonin demokratizimin e mëtejshëm të shoqërive në rajon, si edhe pajtimin, dialogun, mirëbesimin dhe frymën e bashkëpunimit rajonal.

Në lidhje me situatën në Luginën e Preshevës, Nishani tha që Shqipëria konsideron se kërkesat e shqiptarëve për përmirësimin e situatës ekonomike, përmbushjen e kërkesave për arsimin dhe informim në gjuhën shqipe, për një përfshirje më të madhe të shqiptarëve në procesin e vendimmarrjes, janë tërësisht racionale dhe OSBE-ja duhet të vazhdojë ndërmjetësimin që Beogradi të bisedojë me përfaqësuesit lokalë për të adresuar këto kërkesa.

Presidenti i radhës i OSBE-së dhe i Zvicrës trë premten pritet të vizitojë edhe Kosovën.