Nishani: Akuzat se PD është e lidhur me rusët vijnë nga stalinistët shqiptarë

Në lidhje me debatin nëse PD-ja është sponsorizuar nga lobingjet ruse për zgjedhjet në Shqipëri apo influencë në administratën e Trump-it, përfshihet edhe ish- Presidenti, Bujar Nishani.

Lajme

12/03/2018 18:34

Ai e cilëson si një debat absurd pasi këto akuza vijnë nga Partia Socialiste e Edi Ramës e cila është bija e Partisë Komuniste të Shqipërisë, që sipas Nishanit u shkolluan, u financuan, u modeluan dhe u trashëguan si stalinistët më orthodoks të Evropës Lindore.

Reagimi i Nishanit

Debateve të nxehta publike dhe shqetësimeve të shumta e masive të qytetarëve këto ditë ju mbivendos artificialisht një sulm antiopozitar me sponsorizim qeveritar. Opozita shqiptare, Partia Demokratike dhe lideri i saj Lulzim Basha u denoncuan nga qeveria dhe kryeministri i vendit në publik dhe në prokurori si pro-rusët në Shqipëri. Si të financuar nga rusët për të luftuar politikisht qeverinë socialiste !!!

Jemi në një kaos total politik dhe social në Shqipëri, ndaj çdo gjë mund të dëgjojmë.

Por kjo akuzë e qeverisë socialiste është për të qarë e për të qeshur.

Eshtë për të qeshur pasi akuza anti-ruse që denoncon pro-rusët vjen pikërisht nga ata që u themeluan, u pushtetuan, u shkolluan, u financuan, u modeluan dhe u trashëguan si stalinistët më orthodoks të Evropës Lindore.

Sot, socialistët shqiptarë!

Por realiteti i halleve dhe problemeve të panumërta që shqiptareve që ju krijohen çdo ditë është për tu qarë.

Sipas akuzës së lobimit qeveritar denoncimi që opozita i bën varfërisë që thellohet çdo ditë e më shumë nuk është një e vërtetë therëse por një shërbim që Lul Basha dhe PD po i bëjnë Rusisë.

Ikja masive e shqiptarëve në azil nuk qenka tregues i keq qeverisjes por nxitje që e bën opozita me sponsorizimin e rusëve !

Kultivimi masiv dhe trafiku evropian i kanabisit, përfshirja e segmenteve më të larta të policisë në të, mpleksja e Ministrit të Brendshëm me trafikantët kryesorë, nuk qënka një platformë qeveritare për narkotizimin e vendit por shpifje e opozitës për të nxirë shkëlqimin europeist të kryemimistrit shqiptar !!!

Kthimi i Shqipërisë në magazinën dhe dispeçerinë e kokainës kolumbiane për tregun evropian, sipas lobimit qeveritar, është një përrallë e Lulzim Bashës dhe Partisë Demokratike që mbahet gjallë në publik si matrioshka ruse.

Degradimi i shkollave, spitaleve, çerdheve, zyrave të shtetit nuk është përgjegjësi qeveritare por mallkim opozitar që tu shërbejë rusëve !!!

Natyrisht të gjitha këto janë të qarta për shqiptarët.

Për fatin e keq të lobistëve qeveritar ka qëlluar që Partia Demokratike e udhëhoqi Shqipërinë në procesin dhe realizoj anëtarësimin e saj në NATO.

Ju ka qëlluar që pikërisht Lulzim Basha ka udhëhequr negociatat diplomatike të këtij antarësimi.

Qeveria socialiste i di mirë këto fakte.

Por mesa duket menduan se plazmimi i kësaj teze do harrojë sado pak hallet dhe problemet e shumta që ata ju kanë krijuar shqiptarëve.

Këto ditë nga qeveria u shmangën perkohesisht pergjigjet që shqiptaret presin në lidhje me skandalin e 28 shkurtit. Të 615 kg kokainë destinuar Shqipërinë si magazinë, dhe bazë për shpërndarje ndërkombëtare.

Por 28 shkurti nuk harrohet dot. Ai është ngulur si gozhdë e ndryshkur në imazhin ndërkombëtar të Shqipërisë.

Ne presim çdo ditë që të na thonë kush ishin garantuesit fuqiplotē të transsksionit gjigand të kokainës ?

Ku dhe kush janë përpunuesit e kësaj sasie kolosale ?

Ç’far sasie kokaine ka hyrë më parë me këtë rrjet dhe pse nuk është kapur ?

Ku janë pasuritë dhe pronat e vëna me trafikun e suksesëshëm të drogës dhe kur do të sekuestrohen ato ?

Këto pritshmëri të shqiptarëve nuk i zhbën dot askush. Ne i presim dhe do ti kërkojmë çdo ditë deri sa të përmbushen.

Përralla ruse për Partinë Demokratike dhe Lulzim Bashën le ti mbetet nostalgjikëve sovjetikëve të pandreqshëm të këtij vendi.

Në fakt Partia Demokratike dhe Lulzim Basha e kanë një përgjegjësi në kontekstin e influencave anti perëndimore në këtë vend. Jo shumë kohë më parë, në mes të Brukselit, kryeministri shqiptar deklaronte se ; “neve kemi edhe alternativa të tjera partneriteti, përtej atyre të Bashkimit Evropian”…. duke aluduar hapur për një orientim të ri të politikës së jashtme të Shqipërisë. Atë drejt lindjes, drejt Rusisë.

Ky provokim i rëndë i bërë në emrin e të gjithë shqiptarëve, me pa të drejtë u neglizhua dhe u la në harresë nga Partia Demokratike. Ai duhet të ishte një kambanë e madhe alarmi dhe denoncimi, debati parlamentar, debati publik, hetimi parlamentar.

Por më mirë vonë se kurrë !

Shqipëria dhe shqiptarët nuk kanë për të patur kurrë ndonjë orientim tjetër përpos atij europian dhe euro-atlantik.

Asnjë rrethanë problematike e politikës së momentit që mund të ketë në hapsirën evropiane nuk do mund të krijojë asnjë tutje, dyzim apo dyshim në këtë orientim.

Orkestrimi më i fundit nga ana e pushtetit ndaj opozitës dhe forcës kryesore të saj, në fakt duhet ta verë në lëvizje të fortë këtë të fundit. Kjo është një platformë e qartë e pushtetit për asgjesimin e opozitës.

Pushteti ka dështuar të qeverisë vendin.

Ka dështuar të krijoj punësim, shërbim, pasurim të shqiptarëve.

Ka dështuar të shërbej arsimim, shëndetësi, rend e siguri.

Për këtë i është ndërsyer tani opozitës. Mundësisht ta eleminoj atë.

Tashmë keni angazhimin e pushtetit jo tek punët publike dhe shërbimi ndaj qytetarëve e vendit por tek asgjesimi i opozitës.

Kjo është një sfidë e madhe për opozitën dhe Partinë Demokratike.

Sfida e rezistencës dhe e betejës.

Kur pushteti angazhohet në luftën kundër opozitës kjo është padyshim një betejë e pabarabartë.

Një betejë ku pushteti përdor institucionet e shtetit.

Një betejë ku pushteti përdor paratë dhe pasuritë publike kundër pjesës më të madhe të vetë publikut. Një betejë ku qeveria përdor mekanizmat e diplomacisë së shtetit kundër një pjese të vetë shtetit. Një betejë ku pushteti përdor policinë, prokurorinë e gjykatat kundër opozitarizmit. Një betejë që gjithsesi nuk ja përcakton fatin pushteti. Pushteti po ndihet keq nga lobimet e opozitës në Perëndim.

Të lobosh sot në Ëashington apo Bruksel, në Berlin apo Londër, në Romë apo Paris që Shqipëria dhe shqiptarët të çlirohen nga krimi i organizuar dhe e drejta e gjithseicilit nga dhuna e padrejtësisë, është një detyrë patriotike.

Sepse fati i Shqipërisë është më i rëndësishëm njëqind herë më shumë se fati i cilësdo qeveri qoftë.

Sepse fati i shqiptarëve është njëmijë herë më i rëndësishëm se fati i cilitdo pushtetar qoftë.

Beteja vazhdon.