Nis votimi për kreun e ri të PD-së mes Bashës dhe Selamit

Sot demokratët do të votojnë për të zgjedhur kreun e ri të partisë së tyre, ndërsa në garë marrin pjesë Lulzim Basha dhe Eduard Selami. Procesi i votimit ka nisur në orën 08:00 te mengjesit dhe në të marrin pjesë 103 mijë anëtarë të PD-së.

Lajme

22/07/2017 09:12

Numri i saktë i anëtarësisë së PD-së u nxor pas riorganizimit të listave

Lulzim Basha dhe Eduard Selami janë dy kandidatët e vetëm në garë. Përmes një shorti të hedhur në Komisionin e Organizimit Zgjedhor në PD, është përcaktuar edhe renditja në fletën e votimit, ku kryetari aktual, Basha, do të jetë i pari dhe sfiduesi i tij, Selami, do të ketë numrin 2. Lulzim Basha kërkon një mandat të dytë në krye të Partisë Demokratike dhe gjatë gjithë fushatës ka premtuar se do t’i bashkojë demokratët që të arrijë ta sjellë PD në pushtet.

Edhe Eduard Selami kërkon një mandat të dytë si kryetar, por ndryshe nga Basha, mandatin e parë dhe të vetëm si kryetar, Selami e ka pasur në vitet ’92-’95. Pas 16 ditësh fushatë intensive, dy kandidatët përmbyllën turin në 68 degë të PD në të gjithë vendin, ku në 4 raste zhvilluan edhe takime publike mes njëri-tjetrit.

Gjatë gjithë ditës së premte, anëtarët e komisioneve të votimit, në 73 komisione të ngritura në të gjithë vendin, janë pajisur me bazën materiale dhe pasditen e djeshme është konfirmuar se është gjithçka gati për zhvillimin e zgjedhjeve në PD. Do të jenë 103.952 anëtarë të PD me të drejtë vote në të gjithë vendin, që do të zgjedhin kryetarin e ri të PD-së për katër vitet e ardhshme