Nis rritja e çmimeve

Tregtarët kanë nisur të reagojnë me ngritjen e çmimeve pas vendimit të Qeverisë për ngritje pagash të shërbyesve publikë. Ngritje është vërejtur tek mielli, vaji, orizi, qumështi e vezët. Thonë se kur ka rritje të kërkesës e rrisin edhe marzhën e fitimit.

Lajme

28/03/2014 09:09

Çmimet e konsumit kanë nisur të rriten ende pa i marrë pagat me ngritje punëtorët e sektorit publik.

Disa tregtarë kanë nisur t’i shtrenjtojnë disa nga artikujt qëkur është vendosur për rritje të pagave, shkruan e përditshmja “Koha Ditore”.

Ngritja e çmimit vërehet kryesisht tek dyqanet e vogla.

Ngritje e çmimit është vërejtur tek mielli, vaji, orizi, qumështi e vezët. Por ka ngitje të çmimeve edhe për artikujt e tjerë.

Kjo ngritje është vërejtur kryesisht gjatë muajit të fundit.

Tregtarët e demantojnë kryeministrin Hashim Thaçi, i cili nëpërmjet një deklarate ka argumentuar se pse nuk do të ketë ngritje të çmimeve për shkak të rritjes së pagave në sektorin publik.

Rritja e çmimeve ishte evidencuar edhe në vitin 2011, kur ishte bërë rritja e fundit e pagave.

Atëbotë çmimet ishin shtrenjtuar për rreth 7,3 për qind, që ishte shkalla më e lartë e inflacionit e shënuar viteve të fundit.

Tregtarët thonë se ndërrimi i çmimeve është më i shpeshtë, pasi kjo varet edhe nga kërkesa e oferta.

Kur ka kërkesë më të madhe, çmimet ngrihen. E kur kërkesa bie, marketet e mëdha kryesisht bëjnë lirimin e disa produkteve për t’i ruajtur klientët, por bëhet edhe lirimi i produkteve që janë në prag të skadimit të afatit, shkruan “Koha”.