Nis në Zagreb rigjykimi për krime lufte i paraushtarakut serb

Miroslav Joviq, një ish-anëtar i forcave rebele serbe të Kroacisë, u deklarua i pafajshëm pasi rigjykimi i tij filloi në gjykatën e qarkut të Zagrebit.

Lajme

22/05/2018 23:19

Joviq akuzohet për vrasjen e civiles kroate Ivanka Medved dhe plagosjen e bashkëshortit të saj Branko Medved në fshatin Gornje Taboriste në Kroacinë qendrore në shtator 1991.

Sipas padisë, Joviq dhe një luftëtar tjetër serb, Milan Stanojeviq, hapën zjarr ndaj dy civilëve. Branko Medved mbijetoi pavarësisht se mori pesë plagë me armë zjarri.

Joviq dhe Stanojeviq fillimisht u dënuan në mungesë në gusht 2007. Gjykata e Lartë Kroate la në fuqi vendimin e gjykatës së qarkut të Sisakut nga maji 2006 dhe i dënoi ata të dy me 15 vjet burg.

Branko Medved, tani 52 vjeç, dëshmoi si dëshmitar për prokurorinë të hënën se si Joviq dhe Stanojeviq, të veshur me uniforma ushtarake, e qëlluan atë dhe gruan e tij me pushkë automatike në fshatin Silaj afër Gornje Taboriste, ndërsa ata po merrnin bar për bagëtitë e tyre.

“Unë dhe ime shoqe po ecnim rrugës dhe pamë Joviqin dhe Stanojeviqin. I përshëndeta. Ata nuk u përgjigjen, por hapën zjarr ndaj nesh. Ramë të dy përtokë. Ivanka u vra, ndërsa unë u plagosa. Nuk më kujtohet se kur u zgjova saktësisht më pas,” tha Medved në gjykatë.

Ai shpjegoi se nëna e tij dhe disa fshatarë e mbajtën atë “me një barelë të improvizuar të bërë me degë dhe një batanije” për të kaluar një përrua aty pranë.

Atje një ambulancë e çoi atë në spitalin më të afërt në qytetin e Pokupskos dhe prej aty në një spital ushtarak në qytetin e Velika Goricës afër Zagrebit. Ai ndenji në spital për dy muaj dhe pastaj për katër muaj të tjerë në një sanatorium mjekësor.

Ai i tha gjykatës se Joviq ishte rreth 15 metra larg tij para se të fillonte t’u qëllonte dhe se ai e pa qartë. Sipas Medved, Stanojeviqi po rrinte rreth 15 metra më lart në rrugë.

Megjithatë, avokatja e Joviqit, Dijana Tomasegoviq Tomiq, tha se Medved e kishte përshkruar situatën krejtësisht ndryshe përpara gjykatës në Sisak në vitin 2006, duke thënë se Stanojeviq ishte më afër tij, ndërsa Joviq ishte pas tij.

Ndërkohë dëshmitari i mbrojtjes Milan Kauriq dëshmoi të hënën se ai dëgjoi se Medvedët nuk i kishte qëlluar Joviqi.

Kauriq tha ndërsa ishte në shtëpinë e një shoku për therjen e një derri, dikush i quajtur Pero Mraoviq, i njohur ndryshe si Skënderi, u mburr se kishte qëlluar Branko Medvedin.

“Ai tha se kishte qëlluar “shurdh memecin, djalin e vozapunuesit, i cili, tha ai, kishte arritur t’i shpëtonte disa herë. Ai na tha se kishte mallkuar nënën ustashe të Medvedit dhe i kishte thënë këtij të fundit ‘tani s’më shpëton dot më’ dhe e kishte qëlluar,” tha Kauriq.

Ai shpjegoi se Mraoviq ndoshta i referohej Medvedit si “shurdh-memeci” sepse ai nuk i kishte thënë gjë herët e tjera që ky i kishte folur.

Kauriq tha se ai ishte ende i gatshëm të dëshmonte kundër Mraoviqit – i cili dyshohet se jeton në Kanada – nëse do ta sjellin ndonjëherë para gjykatës. Ai tha se Mraoviq nuk përmendi gjë të kishte qëlluar Ivanka Medvedin.

Joviq, një shtetas kroat, u arrestua në aeroportin në qytetin malazez të Tivatit në nëntor 2016 dhe u ekstradua në Kroaci në shkurt 2017.

Gjyqi do të vazhdojë në qershor.