Nis marshimi studentor, hyrjet e universiteteve bllokohen me shirita

Ata i kanë vendosur drynin portës hyrëse të fakultetit dhe kanë kërkuar dorëheqjen e Kules, por kanë planifikuar edhe bllokim rrugësh nëse kërkesat e tyre nuk pranohen.

Lajme

17/12/2018 10:20

Auditore bosh, hyrje të bllokuara me shirita, dyer me dryna dhe qindra studentë të bërë bashkë për kauzën e tyre dhe për të marshuar drejt Kryeministrisë në ditën e 13 të protestës së tyre kundër sistemit arsimor në vend.

Kjo është pamja që ofrojnë paraditen e kësaj të hëne të gjitha fakultetet e universiteteve publike në Tiranë, teksa studentët kanë vendosur të përshkallëzojnë protestën, në mungesë të një dakordësie mes tyre dhe kryeministrit Edi Rama për plotësimin e 8 pikave që i kanë drejtuar qeverisë.

Kanë qenë studentët e Shkencave Sociale ata që kanë nisur të parët marshimin, pasi më parë kishin zhvilluar një mbledhje me dyer të mbyllura brenda auditorëve me njëri-tjetrin, duke përcaktuar disa pika për ecurinë e protestës sot, transmeton “Gazeta Shqip”.

Njësoj si studentët e Fakultetit Ekonomik ata kanë vendosur që të distancohen nga partitë politike dhe nëse dëgjohen thirrje partiake ose përfshihen përfaqësues politikë, vetë studentët do marrin situatën në dorë duke i zhvendosur nga turma.

Ndërkohë në Universitetin Politeknik dita ka nisur me vendosjen e shiritave bllokues në hyrjen e tij nga studentët. E njëjta panoramë paraqitet edhe në Fakultetin e Drejtësisë, ndërsa studentët e Ekonomikut kanë qenë më të ashpër pas refuzimit që i bëri dekani i tyre Dhori Kule duke mos u shkuar në takim.

Ata i kanë vendosur drynin portës hyrëse të fakultetit dhe kanë kërkuar dorëheqjen e Kules, por kanë planifikuar edhe bllokim rrugësh nëse kërkesat e tyre nuk pranohen.

Ndërkohë nga Korça raportohet se janë nisur në drejtim të Tiranës rreth 200 studentë me 4 autobusë, të cilët do t’i bashkëngjiten protestës para Kryeministrisë.

Raportohet se edhe nga Elbasani do të nisen drejt Tiranës rreth 200 studentë të Universitetit “Aleksandër Xhuvani”, ndërsa nga Shkodra janë nisur drejt kryeqytetit rreth 100 studentë.

E teksa marshimet kanë nisur, vlen të thuhet se protesta kombëtare që studentët do të zhvillojnë sot ka një kauzë jo politike, ndaj aty janë thirrur të gjithë shqiptarët, pa dallime.