Nis konferenca e donatorëve për Sirinë

Në Bruksel ka nisur konferenca ndërkombëtare dyditore, që ka për qëllim të sigurojë mbështetje humanitare për viktimat e konfliktit 7-vjeçar sirian.

Bota

24/04/2018 15:27

Zyrtarët e Kombeve të Bashkuara dhe të Bashimit Evropian, kanë zhvilluar bisedime me mbi 200 grupe të ndihmës dhe organizata joqeveritare, që punojnë në Siri dhe dhë shtetet fqinje dhe kanë nxjerrur disa rekomandime, për të cilat do të bisedohet me delegacionet e nivelit të lartë më 25 prill.

Takimi i shtatë i tillë vjetor ka mbledhur zyrtarë të BE-së dhe OKB-së si dhe donatorë nga vende të ndryshme, por edhe grupe të ndihmës dhe agjenci të ndryshme të OKB-së.

Kjo konferencë vjen pasi Shtetet e Bashkuara, Franca dhe Britania kryen sulme ajrore në Siri më 14 prill, në kundërpërgjigje ndaj një sulmi të dyshuar kimik në qytetin sirian Duma.

Sipas vlerësimeve të BE-së, rreth 6.1 milionë sirianë janë të zhvendosur, me mbi 5 milionë njerëz që kanë ikur nga Siria dhe 13 milionë persona, përfshirë 6 milionë fëmijë, që kanë nevojë për ndihma.

Zyrtarët e BE-së shpresojnë që të tejkalojnë shumën prej 6 miliardë dollarësh, sa kishim mbledhur në një konferencë të tillë vitin e kaluar.

Ndërkaq, në një ngjarje të ndarë, shefja për Politikë të Jashtme dhe Siguri e BE-së, Federica Mogherini është takuar sot me të dërguarin e OKB-së për Sirinë, Staffan de Mistura, në përpjekje për të rinisur bisedimet e paqes në Gjenevë.

Në tetë raundet e kaluara të bisedimeve nuk është bërë shumë progres. Rusia dhe Irani, aleatët kyç të presidentit sirian, Bashar al-Assad, vitin e kaluar, ndërkaq, kanë nisur bisedime të ndara së bashku me Turqinë. Ato mbahen në kryeqytetin kazak, Astana.

Si në konferencat e kaluara, as Qeveria siriane apo opozita, nuk kanë dërguar delegacione. Gjithashtu, mbetet e paqartë nëse përfaqësuesit e Rusisë, Turqisë dhe Iranit do të marrin pjesë.