Nis gjykimi i ish-deputetit për përvetësim të parave

Ka nisur gjykimi i ish-deputetit Etem Arifi dhe Bajram Gashit, drejtorit të një OJQ-je për përvetësim të gati 26 mijë eurove.

Lajme

19/05/2017 12:01

Ka nisur gjykimi ndaj ish-deputetit të Partisë së Ashkalinjve për Integrim, Etem Arifi, si dhe ndaj drejtorit të OJQ-së “Zëri i Ashkalinjve për Integrim”, Bajram Gashi, të cilët pretendohet t’i kenë përvetësuar 25.646 euro.

Në bazë të aktakuzës, Arifi dhe Gashi, kanë përdorur në kundërshtim me ligjin subvencionet e pranuara për ashkalinj dhe egjiptas nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale dhe Zyra e Kryeministrit në vlerë prej 25.646,00 eurove.

Në seancën fillestare, dy të akuzuarit Arifi dhe Gashi, u deklaruan të pafajshëm.

“Absolutisht i pafajshëm”, u deklarua Etem Arifi para gjyqtarit Vesel Ismajli.

Ndërkaq, avokatja e tij, Merita Stublla-Emini, paralajmëroi se do të parashtrojë kërkesën për hedhjen poshtë të aktakuzës.

“Do të bëjmë kërkesë për hedhje të aktakuzës dhe kundërshtim të provave”, tha Emini.

Sipas aktakuzës, subvencionet e pranuara nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale për ashkalinj dhe egjiptas si dhe subvencioneve nga Zyra e Ministrit për Integrim për festimin e ditës së flamurit për komunitetin ashkali nuk i kanë përdorur për qëllime të cilat u janë dhënë, por i kanë përvetësuar për vete dhe persona të tjerë.

Më tej, në aktakuzë thuhet se me rastin e aplikimit për marrjen e këtyre subvencioneve, Gashi në cilësinë e drejtorit të OJQ-së “Zëri i Ashkalinjve për Integrim” ka paraqitur të dhëna fiktive për OJQ-në në fjalë, të dhëna këto kusht për aprovimin e subvencionit.

Ndërkaq, i akuzuari Etem Arifi si person zyrtar- deputet nga Partia e Ashkalinjve për Integrim në Parlamentin e Republikës së Kosovës, në periudhën kohore dhjetor 2012-2013 në Prishtinë ka ushtruar ndikim te zyrtarët e Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale për dhënien e subvencioneve, edhe pse ka ditur që kjo OJQ është organizatë fiktive, dhe falë ndikimit të tij, OJQ-ja në fjalë ka pranuar nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale dhe nga Zyra e Kryeministrit për Komunitete për festimin e ditës së flamurit për komunitetin ashkalinj të holla në vlerën prej 25.646,00 eurove.

Prokuroria pretendon se këto të holla të akuzuarit i kanë përvetësuar për vete.

Me këtë, dy të akuzuarit ngarkohen me veprën penale mashtrim në subvencione në bashkëkryerje./Kallxo.com