Nis fushata ‘Made in Kosova’

Sonte në një mbrëmje gala, Klubi i Prodhuesve të Kosovës nis fushatën promovuese me qëllim të ngritjes së vetëdijes për rëndësinë e prodhimeve vendore për ekonominë e një vendi.

Lajme

04/05/2016 14:27

Kjo ngjarje e organizuar në bashkëpunim me Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë ka për qëllim të bëhet një ngjarje tradicionale ku do të njihen meritat e prodhuesve kosovarë.

Në këtë mbrëmje do të bëhet edhe lansimi i videos promovuese ‘Made In Kosova’, e cila është pjesë integrale e kësaj fushate dhe për të cilën kanë kontribuar disa nga personalitetet më të arrira kosovare.

Gjatë kësaj nate, Klubi i Prodhuesve të Kosovës do të ndan edhe çmimet ‘Zemra e Kosovës’ për shumë akterë relevantë të cilët për vite me radhë kanë punuar për promovimin e prodhimeve vendore. Po ashtu, do të shtrohet darka me prodhime vendore nën tingujt e muzikës kënduar nga artistë e njohur kosovarë.

“Në kohën kur Kosova po merr lajme të mira nga arena ndërkombëtare dhe gjithnjë e më shumë po bëhet pjesë e familjes së shteteve të botës, prodhuesit vendorë luajnë nj ë rol të pakontestueshëm në ekonomi dhe kjo ngjarje është vetëm një shënim i këtij roli, si dhe zotim për të punuar edhe më shumë në të ardhmen”, u shpreh me këtë rast drejtori ekzekutiv i KPK-s, Astrit Panxha.

Ngjarja mbahet sot, datë 04 maj 2016, me fillim nga ora 19:00, në Hotelin Emerald, salla Beethoven në Prishtinë. Pjesëmarrës do të jenë përfaqësuesit më lartë institucionalë, përfaqësues të misioneve diplomatike, përfaqësues nga media, kultura, OJQ- të si dhe përfaqësues nga biznesi. /lajmi.net