Nimetz: Ka ardhur koha të zgjidhet çështja e emrit të Maqedonisë

Ndërmjetësi i Kombeve të Bashkuara në negociatat mes Maqedonisë dhe Greqisë për çështjen e emrit, Mattew Nimetz në intervistë për gazetën greke "Katimerini", ka thënë se ka ardhur koha që të zgjidhet çështja e emrit.

Lajme

02/11/2015 14:36

Problemi me refugjatët me të cilin janë të prekura Maqedonia dhe Greqia si dhe rritja e kërcënimeve terroriste në rajon, bashkë me vështirësitë ekonomike me të cilat po përballet Evropa Juglindore, janë disa nga arsyet që e bëjnë esenciale nevojën për zgjidhjen e çështjes së emrit.

“Zgjidhja do të hapë derën për bashkëpunim më të mirë, qasje më të fuqishme euroatlantike drejt zgjidhjes së çështjeve rajonale dhe do të ishte në interes të të dyja vendeve”, ka thënë Nimetz, shkruan AA

Ai ka shtuar se gjatë vitit të kaluar çështja nuk ka qenë në mesin e prioriteteve nga shkaku i çështjeve tjera të rëndësishme me të cilat janë përballur Greqia dhe Maqedonia.

“Zgjidha që do të jetë në dobi të të dyja vendeve duke gjetur zgjidhje e cila do ti kënaq qëllimet kombëtare të tyre”, ka thënë Nimetz sipas të cilit inkuadrimi i kryeministrave në procesin negociator do të përshpejtojë zgjidhjen.

Ndryshe, Matthew Nimetz nga marsi i vitit 1994 është në funksion të ndërmjetësit për zgjidhjen e çështjes së emrit mes Maqedonisë dhe Greqisë. Fillimisht si i dërguari i posaçëm i presidentit të atëhershëm amerikan Bill Klinton dhe më vonë i Kombeve të Bashkuara.