Nikolic shpërbën Parlamentin e Serbisë

Presidenti i Serbisë, Tomislav Nikolic, nënshkroi sot shpërbërjen e Parlamentit dhe caktoi zgjedhjet e jashtëzakonshme më 16 mars. Ai tha se Qeveria do të vërtetojë legjimitetin e saj. Sipas tij, shtetin serb e presin reforma të dhimbshme dhe të vështira.

Lajme

29/01/2014 11:48

Presidenti i Serbisë, Tomislav Nikolic, nënshkroi sot shpërbërjen e Parlamentit të Serbisë dhe caktoi 16 marsin si ditë të votimeve për zgjedhjet e jashtëzakonshme në këtë shtet fqinj.

Nikolic tha se beson se Qeveria e Serbisë do të vërtetojë legjimitetin e saj.

“Mendoj se këtë e duan edhe partitë opozitare. Mendoj, po ashtu, se janë pjekur kushtet për zgjedhje fer, të lira dhe demokratike”, u tha Nikolic gazetarëve të mbledhur në Presidencë të mërkurën në mesditë, raporton Evropa e Lirë.

Presidenti serb vlerësoi se në dy vjetët e kaluara Serbia ka përjetuar “ndryshime të mëdha në të mirë” dhe se meritat për këtë i takojnë mbi të gjitha Qeverisë.

Ai ka bërë të ditur se shtetin serb e presin reforma të dhimbshme dhe të vështira, si dhe zbatimi i kushteve për anëtarësim në Bashkimin Europian.

“Ne këtë e presim në një atmosferë shumë më të mirë se para dy vjetësh. Në Serbi, shumë prej atyre që merren me politikë, për detyrat e rëndësishme mendojnë njësoj, dhe mendoj se këtë gjë do ta shpalos edhe fushata e ardhshme”, ka vlerësuar ai.

Zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 16 marsit në Serbi janë cikli i dhjetë elektoral në këtë shtet, prej vitit 1990, vit ky të cilin mediat serbe e përshkruajnë si vit kur është vendosur sistemi shumëpartiak në Serbi.

Shkuarja e Serbisë në zgjedhje të jashtëzakonshme do të ndikojë edhe në zhvillimin e dialogut me Serbinë dhe në implementimin e marrëveshjeve të arritura deri tash, në kuadër të bisedimeve të Brukselit mes Kryeministrave Hashim Thaçi dhe Ivica Dacic.

Pritet që për një kohë të ketë edhe ndërprerje të bisedimeve.