Nikolic e Vucic s’kanë bërë kërkesë

Këshilltari i Kryeministrit, Bekim Çollaku, thotë se Nikolic e Vucic nuk kanë kërkuar ta vizitojnë Kosovën gjatë tetorit. Ai pohon se Qeveria nuk ka një vendim për ndalesë të vizitave të tilla dhe secila kërkesë do të trajtohet në baza individuale.

Lajme

05/10/2013 12:43

Presidenti i Serbisë Tomislav Nikolic dhe Zëvendëskryeministri i parë i Serbisë Aleksander Vucic nuk kanë bërë kërkesë për të vizituar Kosovën gjatë muajit tetor, në periudhën e fushatës për zgjedhjet e 3 nëntorit.

Më herët, mediat serbe kanë raportuar se Nikolic dhe Vucic planifikojnë të qëndrojnë në Graçanicë dhe Leposavic, në kuadër të fushatës zgjedhore të Listës Qytetare Serbe.

Por, Bekim Çollaku, Këshilltar i Kryeministrit të Kosovës, thotë për lajmi.net se as njëri e as tjetri deri më tash nuk kanë dërguar kërkesë përmes kanaleve zyrtare.

Procedurat thonë se në rast se një zyrtar qeveritar serb dëshiron ta vizitojë Kosovën, ai duhet që kërkesën e vet t’ia drejtojë Qeverisë së Kosovës përmes Zyrës së Bashkimit Europian. Një përgjigje, qoftë pozitive apo negative, duhet t’i kthehet Qeverisë serbe, përmes kanalit të njëjtë të komunikimit.

“Nuk ka një kërkesë zyrtare për vizitat e tyre në Kosovë. Qeveria e Republikës së Kosovës nuk i komenton paralajmërimet e zyrtarëve të Qeverisë së Serbisë për vizita të mundshme”, thotë Çollaku, për lajmi.net.

“Qeveria jonë i shqyrton kërkesat që vijnë përmes kanaleve zyrtare dhe në përputhje me procedurat në fuqi, kështu që nuk mund të paragjykojmë asgjë”.

Çollaku rikonfirmon se Qeveria e Kosovës nuk ka një vendim për ndalimin e vizitave të zyrtarëve dhe se të njëjtat procedura që kanë qenë më parë për një gjë të tillë, janë ende në fuqi.

“Secila kërkesë do të trajtohet në mënyrë individuale dhe varësisht nga rrethanat politike dhe të sigurisë do të jepet përgjigja”.

Sipas Çollakut, takimi i së hënës në Bruksel ndërmjet Kryeministrit të Kosovës Hashim Thaçi dhe homologut të tij serb Ivica Dacic nuk është aranzhuar për shkak të ndalesës që Dacic ta vizitojë Shtërpcen për të marrë pjesë në një tubim zgjedhor.

Sipas tij, tema kryesore të takimit do të jenë çështjet që kanë të bëjnë me policinë dhe gjyqësinë, sado që ai nuk e përjashton mundësinë që të diskutohet edhe për këtë ndalesë.