Nigeria shtyn zgjedhjet disa orë para hapjes së kutive të votimit

Komisioni zgjedhor në Nigeri i ka shtyrë zgjedhjet presidenciale për 23 shkurt. Njoftimi për ndërrimin e datës së zgjedhjeve presidenciale u dha vetëm pesë orë para orarit të caktuar për fillimin e procesit zgjedhor.

Bota

16/02/2019 11:18

Sipas këtij komisioni, vendimi për shtyrje të zgjedhjeve është marrë për shkak të sfidave, por nuk janë dhënë arsye të hollësishme. Sidoqoftë, ka pasur raportime se materiali zgjedhor nuk është shpërndarë në tërë vendin dhe kjo mund të jetë njëra nga arsyet për ndërrimin e datës së caktuar paraprakisht.

Presidenti aktual i Nigerisë, Muhammadu Buhari, do të përballet me një konkurrencë të fortë nga kandidati i opozitës, Atiku Abubukar, i cili është biznesmen dhe më herët ka qenë zëvendëspresident i vendit.

Nigeria është vendi me popullsinë më të madhe në Afrikë dhe prodhuesja më e madhe e naftës në këtë kontinent.

Këto zgjedhje po vlerësohen si referendum për mandatin e parë të Buharit, i cili është shënuar me mungesën e gjatë të tij në skenën politike për shkak të sëmundjes, ekonominë e dobët dhe dështimin e qeverisë për ta luftuar korrupsionin dhe mungesën e sigurisë, shkruan “The Guardian”, transmeton Express.