Ngritja e Popullizmit në Kosovë

Në rastin e Kosovës, Popullizmi si politikë kërcënon vetë ekzistencën e shtetit të Kosovës, apo, suksesi i tij (eventual), do të ketë si pasojë dështimin e shtetit të Kosovës.

Lajme

08/11/2016 16:36

Ese Politik: Rikthimi i Popullizmit në Politikë  (3)

Shkruan: Blerim Shala

Shteti i Kosovës dhe politika kosovare si e tillë, nuk kanë si të mbeten të izoluara nga zhvillimet kryesore politike në SHBA, në Evropë dhe në Botë, si pasojë e mësymjes së një vale të re të Popullizmit dhe të post-truth politics  (politikës së post-të-vërtetës).

Natyrisht, në rastin tonë, e tëra ka edhe ngjyrime lokale, të cilat janë konsekuencë e problemeve shtesë që i kemi si shoqëri dhe si politikë, për shkaqe të njohura, kur ende nuk e kemi të siguruar qëndrueshmërinë afatgjatë si shtet, as brenda territorit të Kosovës  (çështja e integrimit të Veriut), ashtu edhe në rrafshin ndërkombëtarë  (Kosova ende nuk është anëtare e OKB-së).

Kosova pra, me një situatë të tillë që shquan mungesën e rrumbullakësimit të Projektit të pavarësisë, mungesë kjo që nuk ka afat të skadencës, apo, që do të zgjasë edhe me vite të tëra, është një troll pothuajse ideal për Popullizmin e mirëfilltë.

Këndejpari ka gjithnjë e më pak vullnet, tek qytetarët e rëndomtë, për të pasë mirëkuptim për domosdoshmërinë e dialogut politik të Kosovës me Serbinë, apo, për të pasë durim shtesë për një të dhënë të njohur që jemi vetëm ne, qytetarët e Kosovës, të cilët ende nuk kemi të drejtë të udhëtojmë pa Viza në shtetet e Bashkimit Evropian që janë pjesë e Zonës së Schengenit.

Natyrisht, edhe trajektorja e pakënaqësisë politike dhe sociale me zhvillimet në vend, është në rritje e sipër viteve të fundit, sepse realiteti i shtetit të Kosovës, është larg pritjeve të qytetarëve të vendit, të cilët objektivisht, dhanë krejt çka patën në historinë e re të Kosovës, për ta bërë realitet pavarësinë e Kosovës.

Në anën tjetër, partitë apo subjektet kryesore politike të vendit që bëjnë atë Qendrën politike të vendit  (apo të cilat pretendojnë se janë përfaqësuese të demokracisë liberale ndër ne), apo, që si thuhet këtupari janë parti shtetformuese në Kosovë, sepse burojnë nga krahu politik dhe krahu ushtarak i Lëvizjes për pavarësi, pra, PDK, LDK, AAK dhe ‘Nisma’, ashtu si edhe në shembullin e politikës në Perëndim, kanë mbërri në fazën kur pëballen me shterrjen e kapaciteteve të mirëfillta për të ofruar diçka të re para qytetarëve të Kosovës.

Sa për Lëvizjen ‘Vetëvendosje’, identiteti i saj themelor është i njohur për të gjithë ne, dhe kjo Lëvizje është ndërtuar pikërisht si kundërshtare politike e drejtimit kyç që ka pasë politika kosovare e mainstream-it, që prej viteve të nëntëdhjeta e deri tek bërja e shtetit të Kosovës, në shkurtin e vitit 2008.

‘Vetëvendosje’ ka pohuar gjithnjë që ky drejtim ka qenë i gabuar, që caku ku kemi mbërri si vend dhe si politikë është i gabuar, prandaj, duhet të ndodhë ndryshimi rrënjësor i politikës kosovare, për ta marrë drejtimin e duhur që është krejtësisht tjetër prej këtij ekzistuesi.

Ndërrimi i gjeneratave ende nuk ka ndodhë tek subjektet, nëse mund t’i klasifikojmë, tradicionale të politikës kosovare, për më shumë, brenda tyre ka nisë të mbizotërojë tendenca e prapakthimit, e jo e ecjes përpara. Kjo tendencë zatën vërehet edhe me flirtimet që këto entitete politike bëjnë me politikën e post-të-vërtetës dhe me Popullizmin. Shembujt më të mirë për këtë vetë-dëmtim të identitetit themelor të këtyre subjekteve politike që mbi të gjitha pra  (siç u përmend më parë), thirren në cilësinë e të qenit parti shtetformuese të Kosovës, përkojnë me dy temat tashmë të njohura për të gjithë ne, tash e 15 muaj, apo, për temën e Asocianionit/ Bashkësisë së komunave me shumicë serbe në Kosovë  (pjesë e dialogut të Brukselit), dhe për temën e Vijëzimit të kufirit të Kosovës dhe Malit të Zi.

Diskursi absolutisht mbizotërues në një debat të vazhdueshëm publik për këto dy çështje ka pasë karakter popullist, dhe poashtu, përherë ka huazuar qasjen e një politike post-të-vërtetës.

Veçmas kur bëhet fjalë për Vijëzimin e kufirit të Kosovës me Malin e Zi, si pasojë e këtij popullizmi gjithpërshirës dhe të politikës së post-të-vërtetë, është prodhuar një konfuzion masiv tek opinioni publik apo tek qytetarët e rëndomtë, saqë tek ta mbizotëron një pasiguri e plotë për vijën e njëmendtë kufitare në mes të Kosovës dhe Malit të Zi, apo midis dy shteteve që deri tash  (së paku), kanë pasë marrëdhënie shumë të mira fqinjësore.

Natyrisht, të gjithë ne këndejpari e dimë që në thelb, i gjithë ky rrëfim nuk ka të bëjë fare me raportet e Kosovës me Malin e Zi, por me marrëdhëniet në mes të subjekteve politike në vend, dhe me diskursin ngadhnjyes të popullizmit në trajtimin e kësaj teme që gjithsesi meriton të klasifikohet si çështje me interes nacional për Kosovën.

Kjo zatën është njëra nga veçoritë kryesore të Popullizmit: Ai imponon jo-tolerancën, ai pamundëson shqyrtimin racional të një teme kaq të rëndësishme (çfarë është kjo për Marrëveshjen midis Kosovës dhe Malit të Zi), ai insiston në krijimin e istikameve politike, ai këmbëngulë në fushëbetejë të pakursyer politke, ai egërson politikën në një vend, ai gjithsesi duhet të gjejë tradhtarët dhe armiqtë brenda politikës vendore, ai duhet të krijojë një ambient politik që vetëm në thyerjet dhe tronditjet e mëdha do të provojë të gjejë shtegdalje nga situata e krijuar.

Popullizmi njeh vetëm dy ngjyra në politikë: të bardhën dhe të zezën, ndërsa dihet fare mirë që në të shumtën e rasteve, apo, thuaja gjithmonë, ngjyra e rëndomtë politike është ajo e hirta. Kur e hirta zbardhet, dihet që drejtimi që ka marrë një vend a një shoqëri është i mirë dhe anasjelltas, ky drejtim është problematik kur e hirta ka nisë të errësohet.

Politika kosovare e viteve të fundit, pikërisht për shkak të influencimin të Popullizmit, është bërë thellësisht konfrontuese, jotolerante, e vrazhdë, me elemente të qarta të ndërprerjes së kontinuitetit me politikën tradicionale të Kosovës që prej viteve të nëntëdhjeta e këndej.

Kjo ndërprerja e vazhdimësisë së politikës kosovare, cila megjithatë, për fatin tonë të mirë, ende nuk ka marrë trajtën e një procesi të pakthyeshëm, mund të ketë pasoja lehtë të imagjinueshme për atë rrëfimin kyç politik të Kosovës, i cili thekson mungesën e rrumbullakësimit, brenda dhe jashtë vendit, të shtetësisë së Kosovës.

Megjithatë, ky rrezik, i ngadhënjimit të Popullizmit mbi Qendrën tradicionale politike, nuk ka kaluar ende. Madje, mund të parashikohen sprova të reja në këtë aspekt, me afrimin e ciklit zgjedhor në vitet 2017-të dhe 2018-të  (zgjedhjet lokale dhe ato të përgjithshme), nëse nuk do të ketë edhe zgjedhje të parakohshme parlamentare.

Ortega Y Gasset, mendimtari i veçantë filozofik dhe politik spanjoll, në librin e tij të njohur ‘Rebelimi i masave’, pohon që gjëja e parë që u bie ndërmend të uriturve që bashkohen në demonstratë është që ta shkatërrojnë dhe ta kallin furrën e bukës, thuajse ajo u ka faj që nuk kanë çka të hanë.

Gjëja e parë që çdo Popullizëm bën, kudo në Botë, është që t’i sulmojë, t’i dobësojë dhe mundësisht, edhe t’i shkatërrojë mekanizmat ekzistues të qeverisjes me një vend, bazën legale ekzistuese në atë vend, megjithëse, problemet që kanë marrë (edhe) trajtën e kërcënimit të stabilitetit të një shteti, mund dhe duhet të zgjidhen pa rrënuar shtetin dhe mekanizmat e tij ekzistues.

Popullizmi i turret politikës ekzistuese në një vend, dëshiron ta prishë atë në mënyrë që ta instalojë një politikë të re, e cila në thelb, shkatërron atë Qendrën politike dhe Demokracinë liberale.

Në rastin tonë, të Kosovës pra, Popullizmi si politikë për më shumë, kërcënon vetë ekzistencën e shtetit të Kosovës, apo, suksesi i tij (eventual), do të ketë për pasojë dështimin e shtetit të Kosovës.

Nuk ka shenja të qarta në politikën kosovare, së paku në rrethanat aktualisht mbizotëruese ndër ne, për vetëdijësimin nga ky rrezik që bartë në vete Popullizmi në politikën kosovare. Përkundrazi. Duket që tek do të përballemi me mësymjen e re të Popullizmit në politikën kosovare. (Fund)