Ngritët çmimi i duhanit, bije i bukës

Çmimit e konsumit në Kosovë gjatë muajit korrik kanë pësuar ndryshime. Por, nëse merret harmonizimi i çmimeve në total, nuk ka asnjë lëvizje të çmimeve krahasuar muajin qershor. Kjo ngase, ka pasur rënjë të disa produkteve esenciale të shportës së konsumatorit dhe ka pasur rritje të dukshme në produktet që konsiderohen si luks.

Lajme

17/08/2016 11:16

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar “Indeksin e Harmonizuar të Çmimeve të Konsumit” (IHÇK) për muajin korrik të vitit 2016.

Sipas këtyre statistikave, në muajin korrik 2016, Indeksi i tërësishëm i harmonizuar i çmimeve të konsumit në vend është i pandryshuar (0.0 për qind), krahasuar me muajin qershor 2016.

Përkundër mosndryshimit të indeksit të tërësishëm të harmonizuar të çmimeve të konsumit, vërehen disa ndryshime të çmimeve të artikujve dhe shërbimeve. Ngritje e çmimeve vërehet te nëngrupet: pemë (3.4 për qind), shërbimet për transport (10.2 për qind) – (ngritje e çmimit të biletave me aeroplan) me një ndikim të përbashkët të këtyre nëngrupeve prej 0.3 për qind në IHÇK.

Sipas ASK—së, ngritja u neutralizua, kryesisht nga rënia e çmimeve te grupi i perimeve për (-8.5 për qind) me një ndikim prej (-0.3 për qind), raporton lajmi.net

Shkalla e inflacionit e matur në muajin korrik 2016 me muajin korrik 2015 ishte 0.0 për qind.

Krahasuar muajin korrik 2016 me muajin korrik 2015, Indeksi i tërësishëm i harmonizuar i çmimeve të konsumit nuk ka pasur ndryshime. Mirëpo, përkundër kësaj, në këtë periudhë vërehen disa ndryshime të çmimeve të artikujve dhe shërbimeve. Ngritje e çmimeve vërehet te nëngrupet: mish (1.2 për qind), sheqer dhe ëmbëlsira (9.1 për qind), ujë mineral, pije joalkoolike, lëngje nga pemët dhe perimet (2.2 për qind), pije alkoolike (5.0 për qind), duhan (10.1 për qind), veshje (3.0%), orendi dhe aparatura, qilima dhe shtroja të tjera për dysheme (2.6 për qind), prodhime dhe pajisje mjekësore (3.2 për qind), blerje e automjeteve (1.4 për qind), shërbime për transport (10.9 për qind) – (ngritje e çmimit të biletave me aeroplan) me një ndikim të përbashkët të këtyre nëngrupeve prej 1.7 për qind në IHÇK.

Ndërkaq, ngritja u neutralizua, kryesisht nga rënia e çmimeve në këtë periudhë te nëngrupet: bukë dhe drithëra (-4.5 për qind); pemë (-7.8 për qind); perime (-8.1 për qind); furnizim me ujë dhe shërbime të ndryshme, që kanë të bëjnë me vendbanimin (-6.7 për qind); rrymë, gaz dhe lëndë djegëse të tjera (-4.9 për qind) – (përshkallëzimi i TVSH-së me 8.0 për qind nga muaji shtator i vitit 2015 te buka dhe drithërat, uji dhe rryma ka ndikuar në rënie të IHÇK-së në një masë prej (-0.8 për qind) në këtë periudhë); përdorimi i pajisjeve për transportin personal (-7.1 për qind) – (rënie e çmimit të naftës dhe benzinës) me një ndikim të përbashkët të këtyre nëngrupeve prej (-1.7%) në IHÇK. /Lajmi.net