Ngritet aktakuzë ndaj zëvendësministrit të shkarkuar të Qeverisë Haradinaj

Më pak se një muaj pasi ishte arrestuar, zëvendësministri i Ministrisë së Zhvillimit Rajonal dhe Inovacionit, Musa Cena, do të përballet me aktakuzën e ngritur  nga prokurori i Prokurorisë Speciale, Kujtim Munishi.

Lajme

19/11/2018 17:07

Lajmin për ngritjen e aktakuzës ndaj zëvendësministrit tashmë të shkarkuar dhe dy të akuzuarve të tjerë të këtij rasti për kallxo.com e konfirmoi prokurori Kujtim Munishi.

“Mund të konfirmoj se aktakuza ndaj tre të pandehurve të këtij rasti është deponuar në Gjykatën Themelore të Prishtinës. Vepra që rëndon mbi dy të pandehurit  e parë është keqpërdorim i detyrës zyrtare ndërsa ndaj të pandehurit H.Sh. rëndon vepra ndihmë në keqpërdorim të detyrës zyrtare”, tha Munishi

Ndryshe nga dyshimi fillestar, Munishi tha se nuk janë gjetur të mbështetura edhe pretendimet për veprën penale të ryshfetit dhe është pushuar hetimi në atë drejtim.

Më 20 tetor të këtij viti Policia e Kosovës kishte njoftuar se ka arrestuar tre persona.