Ngritet aktakuza e dytë për korrupsion ndaj Fatmir Limajt

EULEX njofton se një Prokuror ndërkombëtar ka ngritur aktakuzë ndaj Fatmir Limajt dhe katër personave tjerë, nën dyshimin për keqpërdorime gjatë kohës sa ishte Ministër në MTPT. Pretendohet se buxheti i MTPT është dëmtuar për 890 mijë euro.

Lajme

19/02/2014 16:50

Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur një aktakuzë të re ndaj ish Ministrit të Transportit dhe Telekomunikacionit të Kosovës, Fatmir Limaj dhe disa bashkëpunëtorëve të tij.

EULEX ka njoftuar për ngritjen e aktakuzës.

“Sot, një prokuror ndërkombëtar nga Prokuroria Speciale e Kosovës (PSRK) ka ngritur aktakuzë kundër ish-Ministrit të Transportit dhe të Postë-Telekomunikacionit dhe katër personave të tjerë të bashkë-akuzuar për vepra të ndryshme penale përfshirë –krim të organizuar, përvetësim, lidhje të kontratave të dëmshme, keqpërdorim të detyrës zyrtare ose të autoritetit, marrje e mitos dhe vepra të tjera të lidhura me korrupsionin”.

“Prokurori pretendon se tre të pandehur kanë manipuluar me procedurat e tenderit, janë marrë me dhënie dhe marrje të mitos dhe me pengim të provuarit në lidhje me administrimin e dy tenderëve në kompetencë të Ministrisë së Transportit.”

“Këta të pandehur pretendohet se i kanë kryer këto vepra për përfitim material personal.”

“Dy të pandehur pretendohet se janë angazhuar në keqpërdorimin e autorizimeve ekonomike, si edhe në veprën penale të dhënies së mitos. Sipas prokurorit, këto vepra ndodhën më 2008 kur njëri prej të pandehurve punonte si Ministër i Transportit.”

“Prokurori pretendon se buxheti i Ministrisë së Transportit është dëmtuar për së paku 890.000 euro.”

“Ky hetim i përbashkët është kryer nga Departamenti Kundër Korrupsionit i Policisë së Kosovës dhe nga Njësia e EULEX-it për Hetimin e Krimit të Organizuar (NJHKO) dhe është udhëhequr nga një prokuror ndërkombëtar nga PSRK”, thuhet në njoftimin e EULEX’it.

Ditë më parë, lajmi.net ka raportuar për mundësinë e ngritjes së kësaj aktakuze, ndërsa EULEX’ pat konfirmuar zhvillimin e hetimeve për këtë rast.