Ngordhin peshqit në Drin, ja shkaku

Banorët e fshatit Barbullush në Lezhë i janë drejtuar emisionit Fiks Fare pasi në lumin Drin çdo ditë ata shohin sasira peshqish të ngordhur.

Lajme

20/06/2018 21:45

Banorët thonë se kjo situatë ka kohë që ndodh, por edhe pse ka patur inspektime nga institucionet situata mbetet e njëjtë. Fiks Fare ka vëzhguar nga afër situatën e cila vërteton plotësisht ankesën e banorëve.

“Çdo ditë sipërfaqja e lumit Drin mbushet me peshq të ngordhur, thonë që uji ndotet nga landfilli i Bushatit por s’dimë asgjë. Kanë ardhur kanë inspektuar por situata njësoj. Peshku kalbet dhe ndërkohë edhe lumi ka aromë të keqe”, thotë një nga banorët e zonës.

Një tjetër banor shprehet se në kohë shirash prurja e peshqve të ngordhur është edhe më e madhe. “Ku ka shi prurjet janë edhe më të mëdha ,lumi mbushet në sipërfaqe me peshq të ngordhur”, tha ai.

Fiks Fare i është drejtuar Inspektoriatit të Mjedisit, dega rajonale Lezhë. Kryeinspektorja Anisa Frroku tha për emisionin Fiks Fare se: “Pas inspektimit të tyre duket se landfilli i Bushatit si pasojë e mbetjeve urbane të akumuluara prej disa vitesh ka shkarkuar derdhjen e liksivateve në lumin Drin dhe si rrjedhojë janë ndotur ujërat ,duke shkaktuar eutrofizimin e ujërave dhe zhdukjen e peshqve. Por duke qenë se landfilli është në territorin e Shkodrës, Inspektoriati Mjedisor dega e Lezhës i ka nisur shkresë përcjellëse Inspektoriatit Mjedisor Shkodër në mënyrë që ky i fundit të verifikojë situatën”, u shpreh znj.Frroku.

Menjëherë Fiks Fare i është drejtuar Inspektoratit Mjedisor, Shkodër. Institucioni ka një muaj që nuk drejtohet nga askush. Në një lidhje telefonike përgjegjësi Erdet Behari tha se nuk ishte në dijeni të situatës madje u shpreh se nuk kishte as shkresën e dërguar nga Inspektorati Mjedisor , dega Lezhë. Fiks Fare pasi i vuri në dispozicion këtë shkresë kërkoi të shkonte sëbashku me inspektorët e Shkodrës në terren për të pasqyruar situatën.