Ngjarjet kryesore në sport nga viti 2016 (FOTO)

Një vit i mbushur me sport, 2016-ta nuk do të harrohet lehtë. Ishte viti i Olimpiadës, viti i Evropianit, Ligës së Kampionëve dhe shumëçka tjetër.

Sport

31/12/2016 21:22

Një nga një, ua sjellim përmbledhjen ngjarjeve të vitit që po përfundon.

Olimpiada e Rios

Shtetet e Bashkuara të Amerikës e konfirmuan dominimin në sport, duke fituar plot 121 medalje, prej tyre 46 të arta, 37 të argjendta dhe 38 të bronzta, të ndjekur nga Britania e Madhe me 67 (27–23–17) e Kina me 70 (26–18–26). Michael Phelps u bë olimpisti më i suksesshëm në histori. Ai në “Rio 2016” fitoi 5 medalje të arta dhe një të argjendtë, duke e mbyllur karrierën olimpike me plot 28 medalje, prej tyre 23 të arta. Usain Bolt po ashtu la gjurmë në Rio. Sprinteri xhamajkan e mbylli këtë eveniment prestigjioz me “Triple-Triple”, duke dominuar në 100, 200 e 4×100 metra, të cilat i fitoi për herë të tretë radhazi në tri Olimpiada.

Euro 2016

Portugalia i mahniti të gjithë duke e fituar krejt turneun, për herë të parë. Cristiano Ronaldo me shokëe ngritën lart trofeun pasi mposhtën në finale nikoqirin, Francën, me rezultat 1:0 falë golit të shënuar nga sulmuesi Eder në vazhdime.

Kampionati Evropian i Hendbollit

Gjermania e fitoi titullin e dytë evropian pasi e mposhti në finale Spanjën me rezultat 25:17. Kroacia e fitoi medaljen e bronztë pasi e mundi Norvegjinë 31:24, në ndeshjen për vendin e tretë.

Liga e Kampionëve

Real Madrid njëjtë si dy vjet më parë, në finale e mposhti rivalin lokal, Atletico Madrid, por këtë radhë me penallti, pasi loja e rregullt përfundoi baras, 1:1. Për Realin, golin e kishte realizuar Sergio Ramos, kurse për Atleticon ka shënuar Carrasco në atë të 79-të.

Europa League

Sevilla triumfoi në Europa League për herë të tretë të njëpasnjëshme. Sevilla në finalen interesante e mposhti Liverpoolin me rezultat 3:1. Liverpooli kishte kaluar në epërsi me golin e Sturridge, por ekipi Andaluzian ka realizuar më pas me Gameiro dhe dy herë me Coke.

Botërori i Klubeve

Real Madridi e mbylli vitin në mënyrën më të mirë të mundshme. Kampioni evropian e mundi në finale ekipin japonez, Kashima Antlers me rezultat 4:2, pas vazhdimeve. Cristiano Ronaldo ka realizuar “Hat-Trick”, kurse një gol tjetër e shtoi Karim Benzema. E për ekipin mikpritës të këtij evenimenti, dy gola i ka shënuar Gaku Shibasaki.

real

“Topi i Artë”

Cristiano Ronaldo e fitoi “Topin e Artë” për herë të katërt në karrierë, duke e lënë prapa pesë herë fituesin e këtij trofeu, Lionel Messi, që e fitoi La Ligan dhe shkoi deri në finale të Copa Americas, dhe Antonie Griezmann, i cili pati vit fantastik me Atletico Madridin dhe Francën, me të cilat humbi në finale të Ligës së Kampionëve dhe Evropianit.

Premierliga

Leicester City ka bërë sensacion në sezonin e fundit të Premierligës, duke e fituar titullin e kampionit për herë të parë në histori të tij. Leicesteri e mbylli sezonin me 81 pikë, ndërsa Arsenali ishte nënkampion me 71 pikë, i ndjekur nga Tottenhami, që kishte 70, Manchester City dhe Manchester United me nga 66. Manchester United e ka fituar FA Cup (Kupën e Anglisë) pasi në finale e mundi Crystal Palacen 2:1. “Red Devils” triumfuan edhe n Community Shield (Superkupën e Anglisë) pasi e mundi kampionin Leicester City, 2:1.

La Liga

Barcelona e ka fituar titullin e kampionit në La Liga duke e mbyllur sezonin me 91 pikë, një më shumë se Real Madrid. Atletico Madridi përfundoi në pozitën e tretë, kurse Sevilla ishte e katërta. Barcelona e fitoi edhe Cop del Rey (Kupa e Spanjës) pasi e mundi Sevillan në finale, 2:0. Gjiganti katalunas në gusht e fitoi edhe Superkupën e Spanjës pasi e mposhti përsëri Sevillan me rezultat të përgjithshëm 5:0, 2:0 në ndeshjen e parë dhe 3:0 në duelin e dytë.

Serie A

Juventus e fitoi titullin e pestë radhazi në Itali. “Bianconeri” e përfunduan sezonin me 91 pikë, të ndjekur nga Napoli me 82 e Roma 80. Juventusi e fitoi edhe Kupën e Italisë pasi e mundi Milanin në finale, 1:0, pas vazhdimeve. Por, Superkupa e Italisë i takoi Milanit që pas barazimit 1:1 në kohën e rregullt dhe vazhdime, fitoi ndaj Juventusit me penallti, 4:3.

Bundesliga

Bayern Munichu e siguroi titullin e 26-të të kampionit më 7 maj 2016, duke u bërë klubi i parë në histori të Bundesligas dhe kampionatit gjerman të futbollit që e fiton titullin katër herë radhazi. Bayerni e mbylli sezonin me 88 pikë, 10 më shumë se Borussia Dortmundi (78), kurse Bayer Leverkuseni kishte 60 pikë e Borussia Monchengladbachu 55. Bayerni e fitoi edhe DFB-Pokal (Kupën e Gjermanisë) pasi e mundi në finale Borussia Dortmundin në penallti, 4:3, derisa loja e rregullt dhe vazhdimet kishin përfunduar 0:0. Bayerni nuk u ndal me kaq, pasi e fitoi edhe Superkupën e Gjermanisë, duke e mundur përsëri Borussia Dortmundin, kësaj radhe 2:0.

Ligue 1

Paris Saint-Germain vazhdoi dominimin në Ligue e1. PSG e mbylli sezonin me 96 pikë, plot 31 më shumë se Lyoni (65), kurse Monaco ishte e treta me 65 dhe Nice i katërti me 63. PSG e ka fituar edhe Coupe de France pasi në finale e mundi Marseillen me rezultat 4:2. PSG po ashtu triumfoi edhe në Superkupën e Francës pasi e mundi Lyonin me rezultat bindës, 4:1.

NBA

Cleveland Cavaliers e mundi Golden State Warriors 4:3 me fitore, në përsëritjen e finalessë vitit 2015. MVP i finaleve ishte LeBron James, i cili ia mundësoi Clevelandit një rikthim historik nga disavantazhi 3:1.

Formula 1

Nico Rosberg e siguroi titullin e kampionit vetëm në garën e fundit. Me nëntë fitore dhe shtatë podiume, gjermani e mposhti shokun e skuadrës tek Mercedesi, Lewis Hamilton me një diferencë prej 5 pikësh. Rosberg e mbylli sezonin me 385 pikë, i ndjekur nga Lewis Hamilton, që kishte 380, ndërsa pas tyre u renditën Daniel Ricciardo me 256, Sebastian Vettel me 212 dhe Max Verstappen me 204. Në nivelin e konstruktorëve, Mercedesi e mbrojti titullin e kampionit, duke e mundur Red Bullin, kurse Ferrari përfundoi i treti.

Tenis

Novak Djokovic e ka mbrojtur titullin e kampionit pasi në finale e mundi Andy Murrayn, duke e barazuar rekordin prej gjashtë titujsh në Australian Open. Në konkurrencën e femrave, Serena Williams ka humbur në finale nga Angelique Kerber. Djokovic e fitoi edhe turneun French Open, duke e mundur përsëri në finale britanikun Andy Murray. Në finalen e femrave shkëlqeu spanjollja Garbine Muguruza, e cila në finale e mundi Serena Williamin. Andy Murray triumfoi në Wimbledon duke mposhtur Djokovicib. Serena Williams më në fund fitoi, duke iu hakmarrë në finale gjermanes Angelique Kerber.

Stan Wawrinka e ka mundur në finale Djokovicin për ta shkruar historinë në US Open. Ndërkaq, në finalen e femrave, gjermania Angelique Kerber e mundi kundërshtaren Karolina Pliskov.

Parashikoni ndeshje të futbollit dhe fitoni dhjetëra shpërblime, duke përfshirë një iPhone 7 dhe Samsung Galaxy S6.