Ngjarjet e 27 prillit: Kush nga BDI e informoi Gruevskin për zgjedhjen e Xhaferit për kryetar të Kuvendit

Sot në Gjykatën Penale në Shkup ka vazhduar gjykimi për ngjarjet e 27 prillit të vitit të kaluar në Kuvendin e Maqedonisë.

Lajme

13/11/2018 16:57

Në seancën e sotme janë prezantuar SMS porositë të cilat ish-kryetari i Kuvendit Trajko Veljenoski, i ka shkëmbyer me anëtarët tjerë të OBRM-PDUKM-së dhe disa nga të akuzuarit.

Ditën kritike Veljanoski është njoftuar nga ish-kryeministri Nikolla Gruevski se do të shpallet Talat Xhaferi për kryetar. Gruevski informacionin e ka siguruar nga njëri i BDI-së, që në SMS nuk dihet nëse është deputet ose jo.

“Informacioni nga BDI, nga njeriu që ka ardhur nga mbledhja me Talatin. Sot pasdite rreth orës 17 me iniciativë të LSD-së do të bëhet zgjedhja e Talatit për kryetar Kuvendit”, i ka shkruar Gruevski, Veljanoskit.

Në orën 17:48, Veljanovski i shkruan shefit të sigurimit, Goran Gjoshevski. Ai kërkon që të ruhet vendi i tij dhe të mos lejohen deputetët e shumicës që të zënë ulësen e tij.

Në orën 18:39 minuta edhe deputeti Ilija Dimovski ka shkëmbyer disa SMS porosi me Veljanoskin.

Për një momentin, Veljanovski i shkruan ish ministrit të Shëndetësisë, Nikolla Todorov dhe kërkon nga ai që qytetarët të mblidhen. Më pas i shkruan deputetit Dimovskit dhe i tregon se populli po futet brenda në Kuvend. Një ditë më pas Veljanovski zhvillon një bisedë me deputetin Krsto Mukoski i cili kishte hapur dyert bashkë më kolegun e tij Sasho Vasilevski. Veljanovski i tregon Mukoskit se veprimi i tij nuk vërehet mirë në kamerat e sigurisë.

Disa ditë më pas, Veljanovski ka tentuar që përmes Xhevat Ademit dhe Artan Grubit të ndikojë tek ish ministri i Brendshëm, Agim Nuhiu që shefin e tij të sigurimit, Goran Gjoshevskin ta lënë të lirë.

Në komunikimet e mëhershme që u shpalosen si dëshmi të siguruara nga telefoni i ish kreut të Kuvendit Veljanovski vërehet se deputetë të caktuar të OBRM-PDUKM-së dhe struktura udhëheqëse në parti dhe funksione shtetërore kanë kontrolluar protestën “Për Maqedoni të përbashkët”, duke i caktuar itinerar dhe program dhe duke i përzgjedhur njerëzit që do ta udhëheqin protestën.

Përveç nga telefoni i Veljanovskit, indikacione për dëshmi të reja në procedurë pritet të dalin edhe nga nënkryetari aktual i Kuvendit, Vesel Memedi të cilit më 27 nëntor 2017 pas një bastisje në shtëpinë e tij urdhër të gjykatësit të procedurës paraprake policia i kishte konfiskuar telefonin celular./Alsat/