Ngërçi institucional zbret rritjen e sivjetme ekonomike

Rritja ekonomike në vend për këtë vit nuk do të jetë ashtu siç ishte planifikuar. Ajo do të jetë më e ulët se që është planifikuar. Nga 3.7%, sa ishte planifikuar të jetë rritje ekonomike, ajo nuk pritet të jetë më lartë se 3%. 

Lajme

07/12/2014 09:16

Si shkruan gazeta Tribuna, shkak për këtë thuhet të jetë rënia e investimeve qeveritare dhe rënia e investimeve të huaja direkte. Kjo është konfirmuar edhe nga Banka Qendrore e Kosovës (BQK), sipas së cilës, rritja e tanishme ekonomike është rezultat i rritjes së konsumit për shkak të rritjes së pagave në sektorin publik që ishte bërë këtë vit.

“Norma e rritjes ekonomike për vitin 2014, sipas projeksioneve të BQK-së, parashihet të jetë rreth 3%, që është më e ulët se sa parashikimi fillestar prej 3.7%. Ky revidim është bërë kryesisht për shkak të nivelit më të ulët të investimeve publike në tremujorin e dytë dhe të tretë, rënies së theksuar të investimeve të huaja direkte në tremujorin e dytë, por edhe rritjes së importeve në tremujorin e tretë.

Rritja për vitin 2014 bazohet kryesisht në rritjen e konsumit, ndërsa investimet dhe neto eksportet pritet të kontribuojnë negativisht”, thuhet në raportin e fundit të BQK-së.

Sipas këtij raporti, të hyrat buxhetore neto deri në shtator 2014 shënuan nivel të ngjashëm me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, duke arritur vlerën prej 964 milionë eurosh

(Tribuna)