Ngatërrimi mes Nëntokës e Mbitokës

Albin Kurti deklaroi në Viti se politika me krim e korrupsion kanë hyrë nën tokë, kurse kanalizimi po del mbi tokë, mu në qendër të qytetit.

Lajme

29/10/2013 15:52

Albin Kurti deklaroi sot, gjatë një tubimi elektoral në Viti, se Lëvizja Vetëvendosje e do shtetin me sovranitet, kombin me bashkim, ekonominë me prodhim, institucionet me drejtësi dhe shoqërinë me barazi.

Ai tha se Vetëvendosje e do edhe Komunën e Vitisë me transparencë, infrastrukturën me ujësjellës e kanalizim, rrugët me pastërti dhe gjelbërim.

“Për t’i realizuar të gjitha këto, na nevojiten politikanë me ideale, dhe qytetarë me Vetëvendosje”.

“Mungesa e zhvillimit dhe e drejtësisë në Viti, u shoqërua me tepri të korrupsionit të pushtetarëve, dhe mjerim të padurueshëm për qytetarët e Vitisë”.

“Të gjithë zyrtarët e korruptuar komunalë, fuqia e ligjit të drejtë do t’i përjashtojë nga puna dhe do t’ua konfiskojë pasurinë e paligjshme”.

“Në Viti janë ngatërruar nëntoka e mbitoka, dhe kështu politika me krim e korrupsion kanë hyrë nën tokë, kurse kanalizimi po del mbi tokë, mu në qendër të qytetit”.

Kurti tha se me qeverisjen e Vetëvendosjes, politika do të jetë mbi tokë, e kanalizimi do të mbetet nën tokë.

“Vetëvendosje do ta rikuptimësojë pushtetin si shërbim, e jo si sundim. Prandaj, me qeverisjen e Vetëvendosjes dhe Salih Salihut, Administrata Komunale nuk do të jetë luksi i sundimit mbi qytetarët, por puna e palodhshme dhe e përkushtuar e shërbimit për qytetarët”.

“Konflikti në mes pushtetit komunal dhe qytetarëve të Vitisë, është konflikt midis përfitimit privat dhe interesit publik”.

Kurti tha se ky konflikt mund të zgjidhet në mënyrë paqësore dhe demokratike më 3 nëntor, me fitoren e Vetëvendosjes dhe Salih Salihut.

“Me Salih Salihun Kryetar, ne do t’ia kthejmë nxënësve librin, arsimtarëve respektin, bujkut arën, dhe punëtorëve fabrikat”.