Nga viti 2011 e deri në shtator të këtij viti në Kosovë janë kryer 241 vrasje

Në krahasim me vitet paraprake, Policia e Kosovës thotë se viteve të fundit numri i vrasjeve është reduktuar.

Lajme

19/09/2017 16:48

Mirëpo, rastet e vrasjeve nuk janë shqyrtuar sa duhet nga organet e sigurisë së Kosovës dhe shumë vrasës jetojnë të lirë në mungesë të provave ose në arrati. E kjo është arsyeja që dikush ende merr guximin dhe armën në dorë e kryen akte të tilla.

Rasti i fundit është vrasja që ndodhi në Prishtinë, viktimë e së cilës mbeti 16-vjeçari, Aulon Zeka.

Në Policinë e Kosovës thonë se me anë të Planeve Operative veprimeve policore në teren, Fushatave Vetëdijësuese, Kampanjave Mediale, aktiviteteve të përditshme në teren angazhohet për një siguri të përgjithshme dhe një ambient të qetë.

“Policia e Kosovës, bazuar në Ligjin e Policisë, Neni 10, Pika 1, detyrën e parë e ka të  mbroj jetën, pronën dhe të ofrojë siguri për të gjithë personat , bazuar në këtë edhe aktivitetet policore në parandalim të akteve të tilla janë të gjithanshme. Për policinë humbja e çdo jete, në cilën do formë të dhunshme (vrasje, aksident me fatalitet, vetëvrasje, vdekje aksidentale etj), humbja edhe e një jete të vetme është e rëndë. Policia angazhohet me veprimet saja parandaluese që të ketë sa më pak akte të tilla”, thekson Policia e Kosovës për lajmi.net.

Statistikat e gjashtë viteve të fundit sa i përket vrasjeve na dhënë këtë pasqyrë, ku vërehet se ka rënie ne vazhdimësi:

–          Në vitin 2011 janë shënuar 46 raste të vrasjeve,

–          Në vitin 2012 janë shënuar 55 raste të vrasjeve,

–          Në vitin 2013 janë shënuar 39 raste të vrasjeve,

–          Në vitin 2014 janë shënuar 35 raste të vrasjeve,

–          Në vitin 2015 janë shënuar 25 raste të vrasjeve dhe

–          Në vitin 2016 janë shënuar 26 raste të vrasjeve.

Kurse gjatë këtij viti deri me datën 18.09.2017, sipas kodit penal vetëm rastet ‘Vrasje’ janë shënuar 15 raste.

Pra, bazuar në statistika për pesë vite, ka pas trend të rënies së dukshme të rasteve të vrasjeve, ku Policia me aktivitetet e veta, ka qenë në vazhdimësi e angazhuar në parandalim të akteve të tilla./Lajmi.net/