Nga varfëria nuk guxojnë të lindin fëmijë

Nuk arritën të përjetonin asnjëherë ndjenjën prindërore për më shumë se gjashtë vite martesë. Kjo për shkak se Gëzim Abazaga dhe gruaja e tij Nazmija, nuk kanë kushte elementare për jetesë. 

Lajme

09/08/2014 18:45

Ata jetojnë në një dhomë në të cilën i ka kapluar myku e lagështia. Përveç përballjes me gjendjen e vështirë ekonomike sociale, Nazmija vuan edhe nga shikimi i dobët, i cili arrin shkallën 95 për qind . Ata kanë rrëfyer për KosovaPress, jetën e tyre të vështirë.

Përveç dhomës në të cilën qëndrojnë, kanë edhe një kuzhinë tualet të cilat vetëm një perde e qeses i ndanë. Gëzimi dikur punonte në kuvendin e komunës së Gjakovës, si portier dhe sigurim, prej të cilit vend e kanë larguar qe 6 vite. E tani, ai është i papunë.

“Momentalisht jo, punojë aty- këtu ,ndonjë ditë privat, kur ka punë, rrobaqepësi. Kamë punu në kuvend, kam punuar 5 vite aty si portier dhe sigurim, kur ka qenë Pal Lekaj. E ka bërë kontratën, private e ka marr sigurimin. Ajo kompani nuk i ka përmbajt rregullat, mu nuk më ka lënë në kuvend…. Kam tentuar prapë te kryetarja t`më kthejnë në punë, më kanë premtuar prapë”, ka thënë Abazaga.

Ata tashmë, kanë bërë kërkesën në komunën ku jetojnë, për t`u bërë ndonjë zgjidhje. Thotë se pronën që ka, prej 55 metra katrorë, t`ia jap komunës, në mënyrë që të përfitojnë një banesë të vogël.

“Kurgjo, aq sa i kam 55 metra katrorë, t`ma bëjë një zgjidhje diku 55 m katrorë, ndonjë banës ose diçka”,

Ai gjendet në hall për gjendjen e gruas, derisa edhe pret ndonjë përgjigje nga komuna.

“Ndonjëherë ka probleme shumë shëndetësore se ka të bëjë me sy dhe nuk guxon në kësi kushte me jetu, e ka aftësinë e kufizuar 95 deri 100 %. Pasi pamë në televizion, se kuvendi i Gjakovës po mundet të bëjë zgjidhje, atëherë kemi bërë kërkesën është edhe në dobi të kuvendit, se këtu do të bëhet rruga, për skaj të murit të kësaj shpije do të bëhet rruga”, rrëfen ai.

Familja Abazaga posedon një veturë të cilën rrallë herë mund ta shfrytëzojnë sepse nuk mund të sigurojnë derivate për të. Madje Gëzimi është në gjendje të mbesë edhe pa ngrënë, vetëm që të mbledhë pak para për të blerë naftë për makinë, pasi që ajo i duhet shumë për dërgimin e gruas së tij në vizita mjekësore, e që janë shumë të shpeshta e të nevojshme për Nazmijen.

Për familjen Abazaga, gjendja vështirësohet edhe më shumë gjatë muajve të vjeshtës e të dimrit. Rrëfen se si gjatë këtyre sitnëve, në shtëpinë e tyre nuk përballohet i ftohti, e madje 2 herë është vërshuar nga shiu.

“Ne jemi momentalisht katastrofë, vjeshta po afrohet, e kjo shpi vështir që i përballon mini tornadot… Dimrit me dru e me rrymë, sepse është shumë ftoftë, është e pabanueshme, pe shihni edhe vet…..Është e plasaritur edhe kulmi edhe zidat komplet. Ka lagështi të madhe, ka miza e bubreca, edhe shiu kur bie krejt hin brenda, dy herë na ka marr uji”, rrëfen ai.

Gëzimi me gruan e tij, presin mirëkuptim nga komuna dhe shpresojnë që të marrin ndonjë përgjigje pozitive.

Krahas kësaj, Komuna e Gjakovës ka vizituar shtëpinë në të cilën jeton ky çift dhe ka bërë vlerësimin e kësaj shtëpie ku edhe kanë konstatuar se koj shtëpi është e ndërtuar me material të dobët dhe është tejet e vjetruar. Madje ata përfunduan se banimin i mëtejmë në këtë shtëpi paraqet rrezik për banorët.

E Ali Tafarshiku, shef…. ka thënë për KosovaPress, se nga shtatori kësaj familje do tu sigurohet një banesë, ku kjo familje mund të jetojë për një vit, por sipas tij, këmbimi i tokës së tyre me ndonjë pronë e cila i përket komunës së Gjakovës, është e pamundur.

“Problemi në familjen Abazaga është që ata kërkojnë që atë pronë të cilët ata janë pronarë, t`ja japin komunës së Gjakovës, në këmbim të një banese apo të ndonjë objekti komunal që do t`ju mundësonte një jetë më normale ose me kushte më të mira… të them të drejtën komuna e Gjakovës nuk ka fatkeqësisht, asnjë banesë dhe asnjë pronë të vetme të evidentuar për t`i dhënë dikujt në shfrytëzim ose për të bërë këmbimin e pronave. ….Ajo çka ne mund të ndërhyjmë si masë emergjente për familjen Abazaga është që t`ja sigurojmë, shfrytëzimin e një objekti ose një prone e cila i plotëson kushtet elementare të jetës për një afat njëvjeçarë”, ka thënë Tafarshiku. 

Sipas Tafarshikut, komuna e Gjakovës kanë ka formuar dhe ka filluar puna e komisionit për evidentimin e pronës komunale,ku kanë evidentuar 23 banesa të uzurpuara pas luftës dhe se atyre do t`u ipet kohë 30 ditë që të lirojnë ato banesa. Dhe në to, Tafarshiku tha se do transferohet familja Abazaga dhe disa familje tjera me kushte të rënda ekonomike e sociale.

“Ne kemi evidentuar tashmë 23 banesa, që fatkeqësisht të them me ndërhyrje politike te 15 viteve pa dallim, pjesëtarë dhe persona të caktuar kanë marr të drejtë ilegalisht që të shfrytëzojnë ato banesa, pa asnjë lloj kriteri, pa asnjë lloj vendimi, pa asnjë lloj kontrate dhe mbi të gjitha, ata kanë lënë në kushte shumë të vështira, jo vetëm familjen Abazaga por shumë familje të tjera që ne përballemi çdo ditë në komunën e Gjakovës…… Ne do ti transferojmë gjitha familjet, që fatkeqësisht janë 160 raste deri më tani që kërkojnë strehim emergjentë”, ka thënë Tafarshiku.

Tafarshiku thotë se gjatë takimit që ai ka pasur me Gëzim Abazagën, kanë diskutuar edhe për largimin e Abazagës nga vendi i punës, ku për shumë vite ai kishte punuar në kuvendin komunal të Gjakovës. Tafarshiku i kishte premtuar atij, se në momentin kur në komunën e Gjakovës do të kenë sistematizim të vendeve të punës, do të shqyrtojnë edhe çështjen se pse Abazaga u largua nga puna.

Familja Abazaga është e përbërë nga çifti Gëzim dhe Nazmije Abazaga, të cilët vendosën mos të kenë fëmijë, për shkak të kushteve të vështira që ata kanë, e që mos t`ia vështirësojnë jetën edhe fëmiut të tyre. Ata kanë më shumë se gjashtë vite që janë të martuar dhe jetojnë në një shtëpi e cila është ndërtuar mbi 100 vite më parë. (Kosovapress)