Nga tridhjetë ditë paraburgim për tre gjilanasit e dyshuar për terrorizëm

Nga tridhjetë ditë paraburgim u janë caktuar tre të arrestuarve në rajonin e Gjilanit, të dyshimtë për terrorizëm.

Lajme

28/02/2015 19:26

Ata ngarkohen me veprën penale: rekrutim për terrorizëm, shtytje për kryerjen e veprave terroriste, organizim dhe pjesëmarrje në grup terrorist si dhe financim të terrorizmit.

Arrestimi i këtyre tre të rinjve lidhet me arrestimin e 18-vjeçarit javën e kaluar, i cili kishte tentuar të udhëtonte me aeroplan në relacionin Prishtinë-Stamboll e që dyshohet se kishte si qëllim të arrinte dhe t’u bashkohej grupeve terroriste në Siri.

E me të njëjtat dyshime janë bërë edhe arrestimet e ditës së djeshme.

Mësohet se të arrestuarit janë imami Hajrullah Aliu, 24-vjeçar, nga fshati Kmetovc i Gjilanit, dhe dy persona të tjerë, po ashtu të rinj. Si prova materiale, policia ka konfiskuar dokumente të ndryshme dhe disa pajisje elektronike.

Mirëpo, për të parandaluar trafikimin me qenie njerëzore dhe narkotikë, zyrtarë të Policisë e shohin si të nevojshme anëtarësimin e Policisë së Kosovës në organizata ndërkombëtare policore, siç janë Interpoli dhe Europoli, raporton KTV.