Nga Traktati i Shën Stefanit deri te Shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë

Shpallja e Pavarësisë ose Deklarata e Pavarësisë është shpallja e pavarësisë së vilajeteve shqiptare të Shkodrës, Kosovës, Manastirit dhe Janinës nga Perandoria Osmane. Shqipëria u vetëshpall e pavarur në Vlorë më 28 nëntor 1912 nga Ismail Qemali. Në shpalljen pavarësisë morën pjesë 83 delegatë nga të gjitha trevat shqiptare.

Lajme

28/11/2014 09:26

Por njohja ndërkombëtare e pavarësisë si dhe përcaktimi i kufijve të Shqipërisë u bë pas një viti, më 1913, në Konferencën e ambasadorëve në Londër, vendim i së cilës qe shpallja e Principatës shqiptare sovrane nga Perandoria Osmane nën mbikëqyrjen e Komisionit Ndërkombëtar të Kontrollit dhe lënia e gjysmës së territoreve të shtetit të porsaformuar jashtë kufijve të tij administrativë.

Përpjekjet shqiptare prej më shumë se 30 vjetëve për të shpallur pavarësinë e shtetit të tyre u realizua përgjysmë, pasi Traktati i Shën-Stefanit, i njohur Traktati i Paqes ndërmjet Perandorisë Ruse dhe Perandorisë Osmane, i mbajtur më 3 mars 1878, tregoi se ishte bazë e përcaktimit të kufijve për Fuqitë e Mëdha.  

Traktati i Shën-Stefanit, zinte fare në gojë Shqipërinë dhe Stambolli u pajtua që gati gjysma e trojeve shqiptare t’iu jepeshin shteteve sllave ballkanike (Serbisë, Bullgarisë, Malit të Zi dhe Greqisë) që njëherësh ishin aleate të Rusisë, ose nën ndikimin e saj, ndërsa pjesa tjetër mbeti nën sundimin e Perandorisë Osmane.

Greqia mori Janinën, Kosturin, Konicën, Artën, Prevezën; Bullgaria do të merrte, përveç të tjerave, krahinat shqiptare të Korçës, të Bilishtit, të Pogradecit, të Strugës, të Dibrës, të Kërçovës, të Gostivarit, të Tetovës, të Shkupit, të Kaçanikut etj; Serbia, e cila do të shtrihej kryesisht drejt jugperëndimit, do të aneksonte edhe viset veriore e verilindore të Kosovës, deri në afërsi të Mitrovicës; Mali i Zi, sipërfaqja e të cilit do të rritej më tepër se tri herë, do të përfshinte brenda kufijve të tij gjithashtu një varg krahinash shqiptare, si atë të Ulqinit, të Krajës, të Anamalit, të Hotit, të Grudës, të Tuzit, të Kelmendit, të Plavës, të Gucisë dhe të Rugovës. Dhe pjesa tjetër e Shqipërisë do të mbetej nën sundimin e Perandorisë Osmane. 

Kjo qasje e Perandorisë Osmane dhe shteteve fqinje çoi tek Lidhja Shqiptare e Prizrenit qw zyrtarisht filloi me tubimin e 300 përfaqësuesve të të gjitha krahinave shqiptare në kuvendin shqiptarë të mbajtur në Prizren më 10 qershor 1878.

Qëllimi i takimit ishte formimi i një shteti autonom shqiptar që do të mbulonte vilajetet shqiptare. Lidhja ishte lëvizja e parë e madhe e organizuar politikisht, administrativisht dhe ushtarakisht për të krijuar një rajon të bashkuar shqiptar qysh nga përpjekjet e forcave të Gjergj Kastriot Skënderbeut në Mesjetë.

Më pas erdhi edhe Lufta e Parë Ballkanike, që drejtohej kundër Turqisë dhe kishte për qëllim bashkimin e popujve ballkanikë, u drejtua nga qarqet shoviniste të vendeve të Ballkanit dhe u kthye në një luftë grabitqare, pushtuese, sidomos ndaj Shqipërisë.

Shqiptarët ishin po aq të interesuar sa edhe popujt e tjerë të shtypur të Ballkanit për t’u çliruar nga Perandoria Osmane. Përfaqësuesit e tyre bënë përpjekje për t’u lidhur me fqinjët në luftën e përbashkët kundërosmane, por këto përpjekje dështuan për faj të krerëve të Aleancës Ballkanike, të cilët nuk dëshironin t’i kishin shqiptarët si palë me të drejta të barabarta në këtë aleancë, sepse ishin marrë vesh ndërmjet tyre për copëtimin e Shqipërisë.

Prandaj, shqiptarët nuk hynë në një aleancë, krerët e së cilës synonin t’i përdornin ata si mish për top në luftën kundër Perandorisë Osmane. Pjesëmarrja e shqiptarëve në këtë aleancë, pa u njohur zyrtarisht të drejtat e tyre, do të ishte një vetëvrasje.

Planet hegjemoniste të Serbisë, të Malit të Zi e të Greqisë kundrejt Shqipërisë, plane që filluan të viheshin në jetë edhe me shpërthimin e Luftës së Parë Ballkanike, ishin pjellë e një politike të pajustifikueshme armiqësore ndaj një populli fqinj, që kishte bërë një luftë të vazhdueshme kundër sundimit shekullor osman dhe kishte treguar se ishte një aleat i sigurt në luftën kundër armikut të përbashkët.

Për këtë arsye, Lufta Ballkanike krijoi në Shqipëri një gjendje shumë të ndërlikuar e kontradiktore. Nga njëra anë, në masat popullore, edhe pse kishte pengesa prej një përqindje të vogël pro-otomane, vazhdonte të ishte gjallë fryma e luftës kundër osmanlinjve. Nga ana tjetër, po bëhej gjithnjë më i qartë rreziku që kërcënonte Shqipërinë nga fqinjët ballkanikë, të cilët pas dëbimit të turqve nga gadishulli synonin të zinin vendin e Perandorisë Osmane në të dhe të fshinin kombin shqiptar nga harta politike e Ballkanit.

Ky rrezik kombëtar vuri në lëvizje të gjitha klasat e shtresat shoqërore të vendit. Përpara tyre u ngrit në mënyrë më serioze çështja e fatit të Shqipërisë, e qëndrimit që duhej mbajtur ndaj konfliktit ballkanik, e mënyrave dhe e mjeteve për ta shpëtuar Shqipërinë nga katastrofa që kërcënonte Turqinë.

Më 28 Nëntor 1912, në orën 14, u hap në Vlorë Kuvendi Kombëtar. Në mbledhjen e parë të Kuvendit morën pjesë 37 delegatë, të cilët u shtuan gjatë ditëve që pasuan duke arritur në 63 veta, që përfaqësonin të gjitha viset shqiptare.

Pjesa më e madhe e tyre ishin udhëheqës e veprimtarë të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare. Pjesëmarrja në Kuvend e delegatëve nga të gjitha qytetet e Shqipërisë, duke përfshirë edhe ato që ndodheshin të pushtuara nga ushtritë serbe, malazeze e greke, i dha atij karakterin e një asambleje kombëtare mbarëshqiptare.  Kjo ishte njëherazi shprehje e vendosmërisë së të gjithë shqiptarëve për t’u bashkuar në shtetin e vet kombëtar, në të cilin do të përfshiheshin të gjitha viset shqiptare.

Kuvendi zgjodhi si kryetar Ismail Qemalin, i cili foli për të kaluarën e Shqipërisë nën sundimin osman dhe për luftërat e shqiptarëve për të fituar të drejtat e tyre. Ai vuri në dukje se në rrethanat e krijuara nga Lufta Ballkanike “e vetmja udhë shpëtimi ishte ndarja e Shqipërisë nga Turqia”.

Propozimi i kryetarit u miratua njëzëri nga delegatët, të cilët nënshkruan dokumentin historik për Pavarësinë e Shqipërisë, ku thuhej: “… Shqipëria me sot të bëhet më vehte, e lirë e mosvarme”. /lajmi.net/