Nga sot pagesat e policës kufitare bëhen “online”

Pas punës intensive të iniciuar nga Ministria e Diasporës dhe Investimeve Strategjike, në pikëkalimin kufitar Merdar, sot zv. kryeministri i Kosovës, njëherësh ministri Dardan Gashi, lansoi edhe zyrtarisht softuerin e pagesave “online” të policave të sigurimit kufitar për bashkatdhetarët tanë. 

Lajme

17/05/2018 15:33

Ministri Gashi, i shoqëruar edhe nga ministri i Punëve të Brendshme, Bejtush Gashi; drejtori i policisë kufitare, Shaban Guda, dhe zyrtarët e BKS-së,  vlerësoi rëndësinë e madhe të këtij projekti,  sepse , duke u kryer pagesat online, do të eliminohen edhe pritjet e mërgimtarëve në kufi.

Zv.kryeministri, njëherësh ministri i Diasporës dhe Investimeve Strategjike, Dardan Gashi, tha: “Kjo ditë është e veçantë, sepse lansojmë softuerin për pagesën e policave “online”. Me këtë,  bashkatdhetarëve do t’u lehtësohet në mënyrë drastike hyrja në Kosovë. Më nuk do të krijohen radhë të gjatë, por pagesa do të mund të bëhet  në mënyrë elektronike “online”.  Ai theksoi  se po punohet për heqjen  e tërësishme të kësaj pagese.

Gashi falënderoi në veçanti edhe ish-ministrin e Brendshëm, Flamur Sefaj, i cili ka punuar intensivisht për jetësimin e këtij projekti të rëndësishëm.

Edhe ministri i Ministrisë së Punëve të Brendshme, z. Bejtush Gashi, përgëzoi fillimin e këtij projekti, i cili në masë të madhe do t’i lehtësojë procedurat e kalimit në pikat kufitare.

Ky sistem do të jetë funksional në të gjitha pikat kufitare.

Për çdo informacion lidhur me policën e sigurisë, bashkatdhetarët do të mund të informohen në detaje në Byronë Kosovare të Sigurimeve.