Nga Siria në Los Anxheles, qirinj të ndezur për viktimat e Parisit

Pas fikjes së dritave në kullën ”Eiffel” në Paris, banorët e Dumas, në provincën e Damaskut në Siri, ndezën qirinj dhe përkujtuan 129 të vrarët në një seri sulmesh terroriste, që ndodhën të premten në mbrëmje në Paris.

Bota

15/11/2015 20:01

Në mënyrë të ngjashme viktimat e pafajshme u përkujtuan edhe nga banorët e Los Anxhelesit, të cilët ishin mbledhur jashtë konsullatës së Francës në këtë qytet.

Përveç kësaj, grupe të caktuara vendosën të përkujtojnë ata që u vranë me këngë franceze.

Viktimat u përkujtuan edhe nga banorët e Athinës, ku të organizuar në grupime të vogla dënuan çdo lloj terrorizmi.

Grupi i përbërë nga grekë dhe francezë u mblodhën jashtë ambasadës franceze në Athinë, ku ndezën qirinj dhe vendosën kurora lulesh për të gjitha viktimat e pafajshme të sulmit terrorist, i cili u dënua nga shumë zyrtarë të qeverisë greke.

Anembanë botës me ngjyrat e flamurit francez janë ndriçuar institucionet shtetërore dhe monumentet.

Midis tyre janë Engjëjt e Pavarësisë në Meksikë, Porta e Brandenburgut në Berlin, Qendra Botërore Tregtare në Nju Jork, monumenti i Jezusit në Ri o de Janeiro, stadiumi Wembley në Londër, ndërtesa e operas në Sydney e tjerë.

Prokuroria në Paris, tha se numri i të vrarë në sulmet terroriste që ndodhën të premten në kryeqytetin francez është rritur në 129 persona.

Në sulmet, për të cilat përgjegjësinë e mori organizata terroriste ISIS, u plagosën 352 persona, ndërsa 99 persona janë në gjendje kritike.

Tani për tani dihet se në sulmet në disa zona të Parisit morën pjesë tetë anëtarë të organizatës terroriste ISIS, në mesin e të cilëve edhe një shtetas francez.