Nga paslufta 120 raste të kanosjeve dhe vrasjeve të gazetarëve

Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit, ka mbajtur tryezë, në të cilën u prezantuan rastet e veprave penale ndaj gazetarëve që kanë të bëjnë me kanosje e deri te vrasjet.

Lajme

21/06/2017 14:58

Aty u tha se që nga viti 1999 e deri më sot, vetëm në Gjykatën Themelore të Prishtinës janë shënuar 90 raste të veprave penale të kryera ndaj gazetarëve në Kosovë.

Kurse rastet tjera nga rajone të ndryshme të vendit.

Besim Kelmendi, prokuror dhe Koordinator në Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit për rastet e gazetarëve, tha se një numër të madh të rasteve nuk është identifikuar kurrë kryesi i veprës penale.

Ai ka thënë se pa mbështetjen e gazetarëve nuk mund të arrijnë suksese në punën e prokurorisë.

Andaj ka shprehur gatishmëri që të bashkëpunojnë me “pushtetin e katërt” për zbulimin e rasteve të kërcënimeve.

“Kemi bashkëpunuar me OSBE-në dhe kemi marrë edhe aty një listë të gazetarëve e që janë viktimave të veprave penale dhe kështu kemi arriture deri te një finalizim i listës së personave që janë viktima ose të dëmtuar nga veprat penale.

Ne nuk kemi arritur t’i përfundojmë të gjitha listat sepse kemi nevojë për ndihmën tuaj. Për fat të keq, viktimat sidomos në rastet e vrasjeve, kanë shkuar por kryesit e veprave penale kanë mbetur ende të pagjykuar. Qëllimi jonë është që të shohim se çka mund të bëjmë për të shtyrë këto çështje më tutje”, ka thënë Kelmendi, raporton Ekonomia Online.