Nga njëra sprovë me sfida të mëdha, në tjetrën që kërkon edhe më shumë energji

Blerand Stavileci as nuk ka qenë ministër i Kulturës e as nuk është bërë, por ai flet për kulturën. Kësaj radhe ka folur për kulturën në punë.

Lajme

14/12/2014 08:31

Në një postim të tij shumë të gjatë në Facebook, ai shkruan me shumë nostalgji për punën që e ka bërë deri tani në postin e ministrit të Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural.

Si transmeton KosovaPress, Stavileci thotë se nuk është e lehtë të nisësh një punë me përgjegjësi të mëdha, por është më vështirë t’i thuash asaj lamtumirë, sidomos pas një rrugëtimi të gjatë, të vështirë, sfidues, por të suksesshëm.

E kujton se ka qenë ministër i Bujqësisë për 4 vjet e 9 muaj dhe se e priste një sprovë e madhe, me plotë pikëpyetje e me plotë vështirësi, të cilat në ditët e para të punës dukeshin gati sa të patejkalueshme.

Tregon për dilemat që kishte, se si bujqësia nënvlerësohej, fermeri paragjykohej, përkrahja financiare mungonte.

Tregon qysh gjatë këtij mandate e rritën buxhetin e bujqësisë, përkrahën shumë fermerë, krijuan shumë vende pune, investuan mijëra euro, subvencionuan mijëra hektarë tokë të punueshme dhe shumë krerë bagëtie.

Përmend me radhë ato që bëri, por asnjëherë nuk thotë e bëra, e thotë në shumës, e bëmë. Dhe vlerëson se kanë krijuar bazë solide për zhvillimin e bujqësisë.

Stavileci pyet a është bërë pak apo shumë?!

Madje ai thotë se shumë sfida e presin ministrin e ri të Bujqësisë, Memli Krasniqin.

E kur flet për detyrën e re, ministër i Zhvillimit Ekonomik, thotë se kjo është një sprovë akoma më e madhe që kërkon akoma më shumë energji, vendosmëri dhe guxim për t’u përballë e për t’i mposhtë sfidat e reja në atë që më së shumti i duhet vendit tonë, zhvillimi ekonomik.

Duke falënderuar të gjithë ata që punuan në ministri, fermerët, agrobizneset dhe përfaqësuesit e tyre për bashkëpunimin korrekt dhe mirëkuptimin e treguar, Stavileci thotë se mirëpret bashkëpunimin dhe mirëkuptimin e punëtorëve dhe palëve të interesit në Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik.

“Shumë punë për zhvillim e prosperitet”, kështu e përfundon ai postimin e tij. 

(KosovaPress)