Nga nesër shi dhe borë, priten edhe vërshime

Ditëve në vijim parashihet të ketë përkeqësim të motit, ku do të jetë më ftohtë dhe me reshje shiu dhe bore.

Lajme

04/04/2015 21:26

Prishtina Weather parashikon se nga dita e nesër fillon një fazë e përkeqësimit të motit, ku pritet të ketë të reshura shiu, e që vende-vende dhe kohëpaskohe mund të jenë më intenzive.

“Nëpër lokalitete përgjatë rrjedhave të lumenjëve më të mëdhenj ka mundësi edhe për vërshime. Era do të fryejë nga juglindja 4-9m/s, e në mbrëmje do të fryejë veriu 2-4m/s. Gjatë natës reshjet e shiut pritet të përzihen edhe me borë. Temperaturat maksimale të dielen do të zbresin në 8C”.

Sipas këtij parashikimi përkeqësimi i motit do të thellohet nga e hëna dhe e marta.

“Të hënën masat e ftohta ajrore do të depërtojnë më tutje, dhe të reshurat pritet të vazhdojnë edhe gjatë ditës së hënë dhe të martë. Në orët e hershme të mëngjesit dhe gjatë natës do të ketë edhe reshje bore. Temperaturat të hënën e të martën do të zbresin në 4C deri 5C, e minimalet në 0C deri 2C. Era do të fryejë nga veriperëndimi 3-10m/s”.

“Nga dita e mërkurë do të mbajë mot kryesisht me vransira, por edhe me intervale me diell, e vende-vende priten edhe reshje të dobëta shiu, e gjatë orëve të mëngjesit edhe reshje bore. Temperaturat do të jenë në ngritje të lehtë në 7C deri 10C, e ato minimale do të zbresin deri në -1C. Era do të fryejë kryesisht nga veriu 4-9m/s”.