Nga nesër fillon manifestimi treditor “Epopeja e UÇK-së” 2015

Me rastin e 17 vjetorit të rënies heroike të Komandantit Legjendar Adem Jashari dhe Familjes Jashari, Qeveria e Republikës së Kosovës më 5, 6 dhe 7 mars organizon manifestimin gjithëpopullor në kujtim dhe nderim të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe heroizmit të familjes Jashari dhe gjithë dëshmorëve të kombit, si dhe të gjithë të rënëve për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.

Lajme

04/03/2015 17:56

Sipas programit të Qeverisë, më 5 mars, në kazermën e FSK-së “Adem Jashari”, në Prishtinë, duke filluar nga ora 11:00 do të mbahet ceremonia ushtarake e FSK-së.

Më 6 mars, duke filluar nga ora 09:30 do të bëhen homazhe pranë varrit të Adem Jasharit dhe varrezave të familjes së tij në kompleksin memorial “Adem Jashari”, në Prekaz të Skenderajt, si dhe në të gjitha komplekset memoriale të dëshmorëve të UÇK-së në komunat e Republikës së Kosovës. Në orën 18:00, në Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë dhe Sporteve, në Prishtinë, do të mbahet një akademi përkujtimore, ndërkaq, më 7 mars, duke filluar nga ora 17:45, fillon ndezja e flakadanëve në kompleksin memorial “Adem Jashari” dhe në orën 18:00 vazhdon manifestimi “Nata e Zjarreve”, me program kulturoro-artistik të begatshëm në sheshin “Adem Jashari” në Skenderaj.

“Ftohen qytetarët që t’i bashkohen manifestimeve dhe së bashku të nderojmë veprën heroike të Komandantit Legjendar Adem Jashari, Familjes Jashari dhe të gjithë të rënëve për lirinë e popullit tonë”, thuhet në njoftimin e Qeverisë.