Nga marsi tarifa të reja të energjisë elektrike

Vendimi për tarifat e reja të energjisë do të merret në muajin mars, ndërkaq ato do të hyjnë në fuqi nga data 1 prill. Sindikalistët, komuniteti i biznesit dhe shoqëria civile, thonë se rritja e çmimit të energjisë do të vështirësojë jetë e qytetarëve.

Lajme

23/02/2014 11:58

Paralajmërimet për shtrenjtim të mundshëm të energjisë elektrike në Kosovë, kanë nxitur reagimin e Sindikatave, shoqërisë civile dhe komunitetit të biznesit.

Kryetari i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës, Haxhi Arifi, ka thënë për RTK se shtrenjtimi i mundshëm i energjisë prej 1 prillit të këtij viti, do ta vështirësojë më tej jetën e familjeve me kushte të rënda ekonomike e sociale.

“Është e rrugës që në këtë gjendje që ndodhet popullata e Kosovës dhe punëtorët e Kosovës, me këto të ardhura personale dhe rritje të çmimeve të artikujve elementarë, një kosto e rrymës më e lartë është një diskriminim ndaj kësaj popullate”.

Agim Shahini nga Aleanca Kosovare e Biznesit thotë se ngritja e çmimit të energjisë, do të rëndojë edhe zhvillimin dhe funksionimin e biznesit vendor.

“Neve na ka shqetësuar lajmi që është duke u diskutuar ngritja e çmimit dhe kështu do ta ngarkon edhe më shumë biznesin vendor. Ne do të tentojmë të mos lejojmë një gjë të tillë, të vije deri të rritja e çmimit të energjisë elektrike”.

Drejtori i Institutit për Hulumtime të Avancuara GAP, Agron Demi, thotë se Qeveria e Kosovës do duhej ta hiqte TVSH’në në energjinë elektrike dhe tantiemën në qymyr, në mënyrë që tarifat e energjisë të jenë të përballueshme. Derisa jo të mos ndodh, mund të ndodh shtrenjtimi i energjisë.

“Qeveria e Kosovës nuk ka dhënë shenja që do ta heqë tantiemën apo TVSH’në dhe kjo vetëm do ta rëndojë xhepin e qytetarëve, të cilët edhe ashtu në shumicën e familjeve, energjia përbën një prej shpenzimeve kryesore të shportës familjare”.

Nga ana tjetër, Zyra e Rregullatorit të Energjisë elektrike në Kosovë është në fazën e shqyrtimit të aplikacioneve të KEK’ut, KEDS’it dhe KOSTT’it dhe se pas analizimit të tyre, do të bëhet publik edhe propozimi i Rregullatorit.

“Pas kësaj do të pranohen komentet eventuale nga palët e interesit lidhur me tarifat e reja”, ka thënë për RTK zëdhënësja e ZRRE’së, Adelina Myrtezaj – Bajrami.

“Aktualisht nuk mund të flasim për shtrenjtim, sepse ende nuk kanë përfunduar analizat dhe ende nuk është publikuar analiza përfundimtare e zyrës”.

Vendimi për tarifat e reja të energjisë do të merret në muajin mars, ndërkaq ato do të hyjnë në fuqi nga data 1 prill.

Ndërkohë ZRRE’ja ka publikuar një analizë për reformimin e strukturës tarifore në Kosovë, dhe për këtë javën e ardhshme pritet të mbajë një seancë publike.