Nga kush u çlirua Gjakova?

Pal Lekaj thotë se vetëm blerja e votave nga Mimoza Kusari ia shkaktoi atij humbjen. Sipas tij, me deklaratat e tipit “Gjakova u çlirua nga frika”, Mimoza po nxit diçka jo të mirë. \"Nga kush u çlirua Gjakova?\", pyet Dr.Pali. Gjakova e ka Opozitarin.

Lajme

05/12/2013 06:42

Pal Lekaj nuk e kishte pritur humbjen në zgjedhjet e 1 Dhjetorit, e cila, sipas tij, erdhi si rezultat i manipulimeve që ka bërë Mimoza Kusari-Lila.

Në një bisedë për lajmi.net, ai thotë se rivalja e tij fitoi zgjedhjet në Gjakovë, pasi manipuloi me shtresat e varfra duke i blerë votat e tyre.

“Sa i përket procesit zgjedhor, mendoj se qytetarët e kanë thënë të vetën dhe unë i falënderoj të gjithë ata që më kanë mbështetur. Kam marrë një votë përafërsisht 49 për qind dhe për këtë i falënderoj të gjithë përzemërsisht”.

“Tjetra është se kundër-kandidatja ime ka punuar dhe ka blerë votën, dhe ka luajtur me shtresat më të varfra. Kjo është diçka e papranueshme”.

Lekaj thotë se Mimoza Kusari-Lila e ka praktikë manipulimin. SIpas tij, në vitin 2009, kur ajo humbi zgjedhjet, nuk ka lënë derë pa trokitur e vajtuar.

“S’jam prej atyre sikur Mimoza, e cila në vitin 2009 ka qarë dhe s’ka lënë institucion pa u ankuar. Koha do të tregojë se kush ka të drejtë këtu”.

Ish Kryetarit të Gjakovës nuk po i pëlqejnë as deklaratat që po bën në media Kryetarja e re e Gjakovës, si ajo se ‘Gjakova u çliruar nga frika”.

“Fare nuk po më pëlqen shkrimi i sotëm se ‘Gjakova u çlirua nga frika dhe pasiguria’. Nga kush u çlirua Gjakova?”

“Ne e kemi hequr një regjim në vitin 1999 dhe tani nëse është kthyer prapë ai regjim për ta çliruar Gjakovën? Unë këtë s’po e kuptoj”.

“Unë mendoj se Mimoza është duke nxitur diçka që nuk i bën mirë as qytetarëve e as Kosovës”.

Dr. Pali, siç e thërrasin miqtë e tij, është i bindur se vetëm blerja e votave ka shkaktuar humbjen e tij. Për këtë, ai thotë se ka edhe fakte.

“Vetëm blerja e votës ka shkaktuar humbjen time”.

“Kam shumë fakte për këtë”.

“Ajo ka luajtur me minoritetet, ka luajtur edhe me shtresa tjera në zonat rurale. Dhe kjo është diferenca. Pra, për aq sa ka blerë vota ajo, është edhe diferenca jonë”.

Lekaj megjithëse humbi zgjedhjet, nuk do të mbesë pa punë. Ai thotë se do t’i bëjë një opozitë të fortë Mimoza Kusarit.

“Do të shoh dhe do të jem opozitë me 4 sy”.

“Dhe prej ditës së parë që do ta marrë ajo mandatin, ne do ta përcjellim punën e saj”.

Lekaj thotë se menjëherë pas humbjes e ka uruar Kryetaren e re, përmes një konference shtypi. Por, dita-ditës, ai po zhgënjehet me deklaratat e saj.

Një deklaratë tjetër e Kryetares së re që nuk i ka pëlqyer Kryetari të Vjetër është edhe ajo për kthimin e identitetit të Gjakovës.

“Besoni se Gjakova e ka pasur identitetin dhe e ka. Unë jam krenar që kam qenë dhe kam udhëhequr dy mandate”.

“Kjo është për të ardhur keq, këtë vetëm mund ta thotë Beogradi kësisoj. Dhe dihet nga kush vjen dhe nga cilat struktura po instalohen në Gjakovë tani”.

“E them me përgjegjësi të madhe, sepse po të thuhet pas 10 vjetësh u çlirua Gjakova, kjo nuk do koment, dhe po më duket se është projektuar nga struktura të caktuara që ta shkatërrojnë Gjakovën. Dhe tani do të degradohet Gjakova dhe jo që do të ketë ndonjë zhvillim. Koha do ta tregojë këtë”.