Nga kriza e ujit, nisin të hapin puse

Si pasojë e thatësisë së madhe dhe mungesës së ujit, janë rritur kërkesat për hapjen e puseve. Për këtë formë alternative që siguron të keni ujë, duhet paguar 45 euro për një metër shpim. E Prishtina është më së shumti në hall për ujë.

Lajme

13/02/2014 21:41

Si pasojë e thatësisë së madhe, që ka çuar deri në rënien e nivelit të ujit në liqenin e Batllavës dhe Badovcit, ka bërë që banorët e rajonit të Prishtinës të mendojnë për opsione të tjera për të pasur ujë.

E njëra prej këtyre opsioneve është edhe hapja e puseve.

Në një storie të Klan Kosovës, Sejdi Maloku, banor i Obiliqit, i cili tash ka filluar që të hap një bunar në oborrin e shtëpisë së tij, vendimin për të bërë një gjë të tillë e ka marrë pasi që ka dëgjuar se do të ketë reduktime të ujit.

“Deri më tani kemi pasur ujë pa ndërprerë, por unë kam dëgjuar që kanë thënë se do të ketë reduktime, dy orë me ujë dhe katër orë pa ujë”, ka thënë ai për Klan Kosova.

Ndërkaq, Ilmi Zeqiri, i cili punon për një kompani që bën hapjen e puseve, ka thënë se kërkesat këtë muaj kanë qenë shumë të mëdha.

Ai thotë se kërkesa të shumta ka prej Fushë Kosovës, Obiliqit, por edhe në qytetin e Prishtinës

“Prej janarit nuk jemi ndalur duke punuar dhe pothuajse për çdo ditë hapim puse. Po kemi kërkesa të përditshme dhe nuk po mundemi që t’i mbulojmë të gjitha kërkesat”, ka thënë ai për Klan Kosova.

Çmimi  një metër shpim është paguar 45 euro.