Nga dekori tek unazat/ Kjo ishte dasma përrallore e Elitës dhe Gjikos!

Dje më datë 21 shtator, reperi i njohur Gjiko dhe prezantuesja Elita Rudi i dhanë fund beqarisë.

ShowBiz

22/09/2018 14:18

Dyshja kurorëzuan dashurinë e tyre me martesë në një dasmë madhështore të organizuar në një nga vendet më luksoze në Prishtinë, “White Garden Events”, shkruan lajmi net.

Një dasmë me mbi 700 të ftuar, miq, familjarë dhe shumë personazhe VIP bëri që të cilësohet si ‘Dasma më e madhe e vitit’.

Gjithçka ka filluar me ardhjen e të ftuarve të cilët u akomoduan në ambientin e hapur të ceremonisë që dukej përrallor.

Dekorimi unik nga “Grand Decor” me lule dhe pemë të ngritura, pllakata tek hyrja e cila shënonte “Mirësevini në dasmën e Elitës dhe Gjikos”, ambienti atraktiv me drita e bën të duket edhe më bukur eventin e mbrëmshëm.

Pak çaste më vonë, artistët shqiptarë me anë të rrjeteve sociale zbuluan më shumë nga martesa e dyshes, teksa sollën sharm dhe elegancë në çdo postim.

Meda me bashkëshorten, Mc Beka, Butrint Imeri, Labinot Gashi, Diona Fona, Ledri Vula, Buta, Skerdi, Lumi B me bashkëshorten, Ermal Fejzullahu me bashkëshorten, Yllka Kuqi, Nora Istrefi, Shkurte Gashi, Edi Furra, Kaltrina Mikushnica janë vetëm disa fytyrat e njohura publike që e ndezën atmosferën në martesën e çiftit Gjikolli.

Reperi, Ledri Vula i dha edhe më shumë hare mbrëmjes gjersa nuk ndalej së kërcyeri me kolegët e tij. Më pas u publikua edhe një fotografi e Gjikos si dhëndërr ku shkëlqeu në një kostum bardh e zi.

I pari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti ishte ai i cili bëri kurorëzimin e dyshes teksa i thanë PO njëri-tjetrit.

Gjiko në stilin e tij prej një djali të lazdruar dha pohimin e tij në anglisht ndërsa më pas vuri firmën në letrën që dëshmon kurorëzimin, e që zbuloi se është majtak.

Pas kësaj filloi edhe atmosfera e madhe ku i gjithë fokusi ishte tek ‘nusja dhe dhëndrri’, ku nuk ka dyshim se Elita dukej si një princeshë e vërtetë.

Velloja e bardhë e dekoruar deri në detaje dhe grimi i lehtë, e bëri prezantuesen shqiptare edhe më të bukur. Por nuk ndalet me kaq, ajo pak më vonë veshi edhe fustanin e dytë që e shfaqi atë super-seksi.

Karakteristikë e dasmës së dyshes ishte edhe torta në formë engjulli, që kësisoj nuk kishim parë pothuajse asnjëherë. Puthjet dhe përqafimet në mes të çiftit të ri të estradës nuk munguan, madje Elita dhe Gjiko bën ‘GjikiChallange’, me këngën e reperit ‘Si Bugatti’.

Tradita po ashtu nuk mungoi teksa vallëzuan edhe me daulle dhe tupana bashkë me familjarët e tyre. E veçantë e kësaj mbrëmje ishin edhe vallëtaret “Belly Dancer”, që kërcyen përpara reperit nga Peja.

Duhet theksuar se Ermal Fejzullahu, Shkurte Gashi, Edi Furra dhe shumë këngëtarë të tjerë i vunë flakën natës më të rëndësishme të çiftit Gjikolli.

Pavarësisht të gjithave, nga dekori e deri tek unazat dasma lirshëm mund të cilësohet përrallore, që çdo kush do ta ëndërronte. /Lajmi.net/

E.SH