Nga 40,000 “veteranë”, vetëm gjysmës do t’i njihet statusi?

Megjithëse deri më tash janë shqyrtuar rreth 40 mijë aplikacione, as në muajin shtator duket se nuk do të përfundojë procesi i verifikimit të veteranëve të UÇK-së. 

Lajme

03/09/2014 20:46

KTV raporton se nga më shumë se 30 mijë aplikues, deri tash u është njohur e drejta e veteranit rreth 12 mijë personave.

Anëtari i Komisionit për verifikimin e veteranëve të UÇK-së, Xhavit Jashari thotë se disa nga ish-zonat e kanë kryer procesin e verifikimit, e disa të tjera janë në fazën e përfundimit.

Sipas tij, në fund diku rreth 20 mijë personave pritet t’u njihet e drejta e veteranit, derisa atyre që nuk u njihet një e drejtë e tillë do të kenë mundësinë e ankesës.

Anëtari i këtij komisioni, Rrustem Berisha thotë se shumica e pjesëtarëve të brigadës 138 “Agim Ramadani” e kanë kryer procesin e verifikimit. Ai thotë se refuzimi i disa aplikacioneve ka ardhur pasi që kanë munguar dëshmitë e mjaftueshme se aplikuesit kanë qenë pjesëmarrës në luftë.

Procesi për verifikimin e veteranëve të UÇK-së ka nisur më 15 nëntor të vitit 2012 dhe atë kohë mendohej se do të përfundonte deri në fund të vitit 2013. (KTV)