Nga 3-5 tetor, Prishtina mikpritëse e Parlamentit Kulturor Evropian

Rreth 100 personalitete të kulturës nga Evropa do të vijnë në Prishtinë, nga data 3 deri me 5 tetor 2014, për të marrë pjesë në sesionin e 13-të të Parlamentit Kulturor Evropian (ECP).

Lajme

28/09/2014 15:43

Mbajtja e sesionit të 13-të të ECP-së në Prishtinë realizohet me iniciativën e Ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Memli Krasniqi, si dhe në bazë të memorandumit të nënshkruar për organizimin e kësaj ngjarje të rëndësishme kulturore ndërmjet MKRS-së dhe ECP-së. MKRS këtë aktivitet e organizon në bashkëpunim me Këshillin Britanik në Kosovë.

Përveç artistëve dhe aktivistëve kulturorë nga Evropa, në panelet dhe aktivitetet që do të mbahen në këtë sesion, me ftesë të MKRS-së do të marrin pjesë edhe rreth 30 artistë të ndryshëm nga Kosova.

Këshilli Britanik dhe MKRS kanë bërë të gjitha përgatitjet për këtë ngjarje, duke përfshirë edhe agjendën e plotë të sesionit.

Ministri Krasniqi vlerëson se mbajtja e sesionit të 13-të të ECP-së në Prishtinë është një hap tejet i rëndësishëm në promovimin e skenës sonë kulturore dhe mundësi që artistët tanë të shkëmbejnë përvojat dhe të lidhin bashkëpunim me personalitete e organizata kulturore nga Evropa.

“Me këtë ngjarje Prishtina po merre epitetin e një prej qendrave kryesore të kulturës në Ballkanin Perëndimor. Me këtë ne tregojmë imazhin e vërtetë të vendit tonë”, thotë Ministri Krasniqi.

Arjeta Emra, drejtoreshë e Këshillit Britanik për Kosovë thotë se mbajtja e sesionit të 13-të ECP-së në Prishtinë është në vazhdën e shumë nismave për përfaqësim sa më të mirë të Kosovës:

“Për Këshillin Britanik, si organizata me e madhe e marrëdhënieve kulturore në botë, mbajtja e një forumi të tillë është e një rëndësie të veçantë sidomos për Kosovën duke e marrë parasysh integrimin tonë kulturor në familjen evropiane. Ky forum, e posaçërisht temat të cilat do të shtjellohen në sesionin e Prishtinës, si roli i diplomacisë kulturore në përfaqësimin e një shteti, janë në vazhdën e bashkëpunimit tonë me Qeverinë e Kosovës në drejtim të promovimit dhe përfaqësimit sa më të mirë të imazhit të Kosovës jashtë vendit”, thotë ajo.

Anëtarë të ECP-së nga Kosova, të emëruar nga Ministri Krasniqi janë Eliza Hoxha dhe Veton Nurkollari. Më herët anëtar i kësaj organizate ka qenë Erzen Shkololli, drejtor i Galerisë Kombëtare të Kosovës.

Në ditët në vazhdim, Ministri Krasniqi pritet të propozojë emërimin edhe të dy anëtarë të tjerë nga Kosova në ECP.

MKRS dhe Këshilli Britanik do të bëjnë të ditur në ditët në vazhdim detajet e tjera të këtij sesioni.