Nga 2002 i kemi dhënë 3 miliardë euro, ‘Bojkoto Produktet e Serbisë’

Lëvizja Vetëvendosje i është rikthyer fushatës së saj - "Bojkoto Produktet e Serbisë". Sot aktivistët e kësaj organizate politike kanë shpërndarë fletushka, në të cilat u bëhet thirrje qytetarëve që t'i bojkotojnë këto produkte.

Lajme

28/12/2014 19:53

Vetëvendosje në një komunikim për media thotë se, Serbia në Kosovë po fuqizohet çdo ditë e më shumë edhe politikisht edhe ekonomikisht. 
 
“Që nga viti 2002 e deri më sot, qytetarët e Kosovës si konsumatorë ia kanë dhënë Serbisë 3 miliardë euro, ndërkaq vetëm në vitin 2014 nga konsumi i mallrave të saj Serbia i ka fituar 371 milionë euro në Kosovë”. 
 
“Me anë të këtij aktiviteti Lëvizja VETËVENDOSJE! edhe njëherë tërhoqi vëmendjen për ngritjen e vetëdijes së qytetarëve, se vetëm duke i bojkotuar këto produkte, do ta dëmtojmë Serbinë, do ta stimulojmë konsumin e produkteve vendore, e rrjedhimisht sado pak do ta përmirësojmë ekonominë e vendit”.
 
Në njoftimin për media, VV thotë se aktivistët e saj janë sulmuar në marketin ETC. 
 
“Se Serbia ka bashkëpunëtorë që kujdesen që ajo t’i plasojë dhe të shesë produkte në tregun e Kosovës u përkujdesën të na e bëjnë me dije stafi i marketit ETC, të Ramiz Kelmendit. Aktivistët e VETËVENDOSJE!-s, u sulmuan dy herë nga stafi i këtij marketi”.
 
“Ata i zvarritën aktivistët deri ne dalje të marketit duke i ofenduar, ndërsa një aktivist i cili xhironte më telefon u kap për fyti nga sigurimi dhe gjithashtu iu rrëmbye telefoni ku u fshi pothuajse i gjithë incizimi. Grupin e dytë te aktivistëve që shpërndanin fletushka, sigurimi i këtij marketi i rrëmbeu në një zyrë të këtij objekti, nga ku i kërcënoi dhe ua rrëmbeu materialet (fletushkat)”.
 
“Lëvizja VETËVENDOSJE! do të vazhdojë të thërrasë fuqishëm në bojkot të produkteve të Serbisë, e për blerjen e produkteve vendore, pavarësisht që kohë pas kohe edhe do të pengohet nga bashkëpunëtorët  e saj, siç është Ramiz Kelmendi dhe Kompania e tij ETC! Vetëm në këtë mënyrë ne e dobësojmë Serbinë dhe e forcojmë Kosovën”.