Nga 15 tetori, për të kaluar nëpër Rrugën e Kombit duhet paguar pesë euro

Ministri Edmond Haxhinasto, i cili çeli edhe sezonin e ri të emisionit “Tonight Ilva Tare”, deklaroi se për “Rrugën e Kombit” në garë janë katër kompani të huaja dhe se prioritet do t’i jepet asaj kompanie që do të ofrojë kërkesën për subvencion më të ulët nga ana e shtetit.

Lajme

03/09/2015 10:12

Më 15 tetor, Ministria e Infrastrukturës do të shpallë kompaninë fituese që do të marrë në koncesion “Rrugën e Kombit”.

Ministri Edmond Haxhinasto, i cili çeli edhe sezonin e ri të emisionit “ Tonight Ilva Tare” në ‘Oraneës’, deklaroi se në garë janë katër kompani të huaja dhe se prioritet do t’i jepet asaj kompanie që do të ofrojë kërkesën për subvencion më të ulët nga ana e shtetit. Për 35-vjet kompania fituese do të ketë nën administrim këtë rrugë, ndërsa qytetarët do të paguajnë 5 euro për kalimin e saj.

“Siç e kam thënë herën e kaluar, u realizua faza e parë e tenderit. Kemi katër kompani në garë dhe më 15 tetor do të kemi fituesin e menaxhimit dhe të ndërtimit të përfundimit të ‘Rrugës së Kombit’. Llogaritja është bërë 5 euro për të kaluar rrugën përfshirë edhe TVSH-në, që është më e ulët sesa mesatarja rajonale për tarifa të ngjashme. Elementi dallues në këtë garë do jetë kompania që do të ofrojë kërkesën për subvencion më të ulët nga ana e shtetit. Angazhimi i shtetit të jetë më i vogli. Katër kompanitë janë të huaja, janë të lidhura me nënkontraktorë shqiptarë. Koncesioni do të jetë për një periudhë 35-vjeçare”.

Haxhinasto tha gjithashtu se kompania fituese parashikohet të investojë 38-43 milionë dollarë për përfundimin e plotë të rrugës.

“Kërkesa kryesore është që të përfundojë rruga, sepse është e papërfunduar ende. Kërkohet të bëhet ura e re e Kukësit, të rregullohet një pjesë e rëndësishme skarpatesh gjatë gjithë gjatësisë së rrugës, po kështu tuneli në dalje të urës së Kukësit dhe disa elementë të rrugës. Është parashikuar një investim midis 38-43 milionë eurosh, që do ta bëjë kompania që do ta marrë në koncesion. Ajo do të ketë për detyrë dhe mirëmbajtjen rutinë dhe atë periodike”.

Një tjetër vepër po aq e rëndësishme është edhe ajo e ‘Rrugës së Arbrit’.

Ministri tha se kompania kineze është në përgatitje të ofertës dhe brenda shtatorit do t’ia paraqesë shtetit shqiptar.

“Ne jemi në një komunikim të vazhdueshëm me kompaninë kineze që ka marrë zyrtarisht kontributin tonë në informacion dhe studime. Është duke përgatitur ofertën përfundimtare, që do të negociohet brenda 60 ditëve, siç e kërkon ligji. Ne jemi në pritje. Brenda shtatorit, ajo duhet të vijë dhe pastaj janë edhe 60 ditë të tjera negocimi.”

Ministri i Transporteve tha se negociatat me TIA-n për të hequr dorë nga ekskluziviteti i fluturimeve nga territori shqiptar duke lejuar edhe aeroporte të tjera, si ai i Kukësit, janë duke përparuar dhe do të mbyllen së shpejti.

Ndërsa për Samitin e Vjenës, ai tha se “segmentet kombëtare janë bërë pjesë e rrjetit bazë ballkanik dhe europian, janë segmente shumë të rëndësishme për Shqipërinë si pjesa shqiptare e korridorit adriatiko-jonian, Rruga e Kombit, porti i Durrësit, aeroporti i Rinasit, lidhja hekurudhore e Shqipërisë deri në kufi me Maqedoninë”.