Nga 100 martesa në Shqipëri, 16 prej tyre përfundojnë me divorc

Open Data Albania ka përditësuar të dhënat lidhur me numrin e martesave dhe divorceve të shënuara në Regjistrin Kombëtar të Gjendjes Civile deri në vitin 2013. Në pesë vjetët e fundit (2009-2013), sipas këtij grupi hulumtues, numri i martesave ka ardhur duke u ulur, për të shënuar në vitin e fundit një ngritje me vetëm 4% krahasuar me vitin pararendës.

Lajme

13/08/2014 19:27

Nëse në vitin 1990 janë shënuar 28  mijë e 992 martesa, sipas ODA, në vitin 2013 shënohen 23 mijë e 820 sosh. Pra, në harkun kohor të 23 vjetëve, ODA vlerëson se numri i martesave ka pësuar një rënie prej 18%.

Raporti i plot i Open Data Albania:

Qarku me numrin më të lartë të martesave është ai i Tiranës, ku në vitin 2013 janë kurorëzuar 5,231 çifte. Ky qark përbën 22% të totalit të martesave të këtij viti në vend. Qarqe të tjera që kanë pasur numër të madh martesash janë dhe Elbasani, Fieri e Durrësi, me nga mbi dy mijë martesa të regjistruara.

Në raport të zhdrejtë me martesat, numri i divorceve ka pësuar rritje në këta 23 vjet. Nga dy mijë e gjashtëqind e shtatëdhjetë e pesë divorce, të shënuara në vitin 1990, në tre mijë e shtatëqind e dyzetë e shtatë, në vitin 2013.

Dy indikatorë që tregojnë ndryshimin e sjelljes sociale në Shqipëri janë edhe koeficienti bruto i martesës si dhe koeficienti i divorcit. Koeficienti bruto i martesës është numri i martesave për 1,000 banorë në një vit, ndërsa koeficienti i divorcit është numri i divorceve për 100 martesa në një vit.

Në vitin 1990, në 1,000 banorë realizoheshin 8,9 martesa, ndërsa në vitin 2013 ky indikator ishte 8,2. Ky koeficient përmban një marzh të lartë gabimi për shkak të metodologjisë përllogaritëse nga Instituti i Statistikave. Ndërsa numri i martesave merret nga Regjistri Kombëtar, ku shënohen edhe martesa të shtetasve shqiptarë jo rezident, popullsia llogaritet sipas censusit të fundit, ku nuk shënohen emigrantët rezident në vende të huaja por ende me shtetësi shqiptare.

Nga ana tjetër, koeficienti prej 15,7 divorce për njëqind martesa, në vitin 2013, dëshmon për një etapë të re të modelit social të shoqërisë shqiptare. Në këtë vit, për çdo njëqind martesa që realizohen, 16 përfundojnë me divorce.