Nga 1 shtatori shtrenjtohet rryma

KEK-u dhe KEDS-i kanë kërkuar nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë shqyrtim të jashtëzakonshëm të kostos së furnizimit me energji elektrike, pas shpërthimit që ka ndodhur në termocentralin “Kosova A”. 

Lajme

07/08/2014 11:14

Krenar Bujupi, anëtarë i Bordit të ZRRE-së ka konfirmuar për Koha Ditore se kanë pranuar një kërkesë për shqyrtim të jashtëzakonshëm të të hyrave maksimale të lejuara.

“ZRRE-ja ka pranuar aplikacionet e KEK-ut dhe KEDS-it për shqyrtimin e jashtëzakonshëm dhe aktualisht jemi duke i analizuar me kujdes. Departamentet përkatëse në ZRRE janë duke i kryr analizat e nevojshme para se të merret ndonjë vendim nga ana e bordit”, ka thënë ai.

Rritja e tarifave sipas një burimi të gazetës brenda ZRRE-së, pritet që të shkojnë deri 5 për qind.

“Në qoftë se do të ketë rishikim të jashtëzakonshëm, atëherë sipas rregullit, minimalisht do të ketë rritje prej 5 për qind të tarifave të energjisë”, ka thënë ky burim për gazetën.

 Rrjeti i OJQ-ve ka kundërshtuar rritjen e çmimit të energjisë duke thënë se qytetarët nuk janë fajtorë për shpërthimin në TC “Kosova A” dhe se nuk duhet faturuar atyre dëmet.

Gjatë javës së ardhshme ZRRE-ja do të nisë procesin e konsultimeve publike për këtë shqyrtim të jashtëzakonshëm. Ndërsa vendimi për tarifat e reja do të merret në javën e fundit të muajit gusht, në mënyrë që tarifat e reja të nisin të aplikohen nga 1 shtatori i vitit 2014.

Rishikimi është i mundur, bazuar në rregullën e ZRRE-së për vendosjen e çmimeve të gjenerimit, shkruan Koha Ditore.