Neymar kthehet kundër Atleticos

Sulmuesi i Barcelonës, Neymar pranon se u frikësua pas lëndimit që pësoi në finalen e Copa del Rey kundër Real Madridit por shpreson të rikuperohet për të luajtur në duelin e xhiros së fundit në La Ligë, ndaj Atletico Madridit.

Sport

19/04/2014 10:51

Sulmuesi i Barcelonës, Neymar beson se do të rikuperohet për duelin me liderin Atletico Madrid në xhiron e fundit të sezonit në La Ligë.

Ylli brazilian pësoi një lëndim në këmbën e majtë gjatë humbjes 2:1 nga Real Madrid në finalen e Copa del Rey të mërkurën dhe fillimisht u njoftua se do të mungojë në pjesën e mbetur të edicionit.

Barcelona pret Atleticon në Camp Nou më 17 maj në xhiron e fundit të La Ligës dhe Neymar beson se do të jetë në gjendje të luajë kundër ekipit të Diego Simeones.

“E dija se ishte një lëndim më i rëndë, por ju gjithmonë keni një dozë të frikës, së pari për shkak se lëndoheni, e pastaj, sigurisht, për Kampionatin botëror”, deklaroi Neymar për Globo.

“Por, pas tri javësh do të rikthehem dhe shpresoj të luaj në ndeshjen e fundit të Barcelonës”, u shpreh ai.