Neymar do të jetë ylli i Botërorit

Thiago Silva mendon se Neymar do të jetë ylli i Botërorit, edhe pse nuk e kaloi një sezon pozitiv me Barcelonën. Futbollisti i PSG-së beson se Brazili mund ta fitojë këtë kompeticion në shtëpi.

Sport

02/06/2014 19:53

Mbrojtësi i Brazilit, Thiago Silva beson se Neymar do të jetë yll i Botërorit. 21 vjeçari realizoi vetëm 9 gola në sezonin e parë në La Liga, pasi u transferua në Barcelonë verën e kaluar, ndërsa hasi në vështirësi për t’u ambientuar në Evropë, kurse në fund të sezonit pësoi lëndim.

Megjithatë, ai ishte lojtari kyç i Brazilit në Kupën e Konfederatave vjet, duke e fituar “Topin e Artë’ në atë eveniment.

“Fuqia jonë ka qenë gjithmonë kualiteti kolektiv i grupit. E kemi një ekip të mirë, të gatshëm dhe me shpresë që ta kemi një Botëror të madh”, deklaroi Thiago Silva për të përditshmen spanjolle, Mundo Deportivo.

“Mirëpo, sigurisht se Neymar është triumfi i individualitetit. Neymar do të jetë ylli i Botërorit”, vazhdoi futbollisti i PSG-së.

“Ne kemi besim se mund ta fitojmë Botërorin. Do ta jap maksimumin për të gjithë ne, për krejt brazilianët, për ta jetuar një moment special”, përfundoi ish futbollisti i Milanit.