Nexhmedin Spahiu: Do t’i publikoj dokumentet për ditëlindjen e Adem Jasharit

Po vazhdon edhe më tej debati për datëlindjen e komandantit legjendar Adem Jasharit.

Lajme

19/08/2018 12:50

I pari që e nisi një debat të tillë ishte analisti politik, Nexhmedin Spahiu, shkruan lajmi.net.

Ai përmes një postimi në Facebook u shpreh se dikush e ka falsifikuar edhe ditëlindjen e Adem Jasharit, për të cilën ai thotë se është më 10 tetor të vitit 1955.

I menjëhershëm ishte reagimi i nipit të komandantit legjendar, Bekim Jashari. Ai në Facebook postoi edhe certifikatën e vdekjes së Adem Jasharit, ku figuronte data 28.11.1955.

E përmes një deklarate për media, Jashari paralajmëroi edhe padi ndaj Nexhmedin Spahiut.

Mirëpo, ky i fundit për lajmi.net gjatë ditës së sotme tha se dokumenti i publikuar nga Jashari është jo relevant.

Ai tha se certifikata e cila është bërë pas lufte ka mundur edhe të falsifikohet.

Spahiu tutje paralajmëroi se së shpejti do t’i publikojë dokumentet të cilat ai pretendon se i ka.

“Ai s’ka dokumenta, nuk e ka qitë asnjë dokument relevant për atë me dëshmu se nuk është ashtu. Ai i publikuar është dokument pas lufte ku ti mundesh me e ba certifikatën ashtu si të duash edhe kur ti je vetë kryetar komune. Ai nuk është dokument relevant ai që e ka publiku zoti Bekim Jashari. Natyrisht që do t’i publikoj këto dokumente. Vetëm po pres sa ti shoh reagimet e tjera”, ka thënë Spahiu për lajmi.net.

Megjithatë, lajmi.net e posedon aktakuzën e Serbisë të vitit 1997 kundër Adem Jasharit, Hashim Thaçit, Sami Lushtakut dhe të tjerëve, sipas të cilës të lartpërmendurit akuzoheshin për krijimin e UÇK-së qysh në vitin 1992.

E në këtë aktakuzë të 27 marsit 1997, ditëlindja e Adem Jasharit është 28 Nëntor 1955.